Loading...

Nga zgjatja e orarit në “zonat e kuqe”, deri te heqja e autorizimeve të lëvizjes, Rama publikon masat lehtësuese

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se edhe Fieri tashmë do jetë në “zonat e gjelbra” dhe nga nesër këto zona nuk do kenë kufizim orari.

“Nga nesër për javën në vazhdim, në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë Fieri kthehet në ‘zonë e gjelbër’. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në ‘zonat e gjelbra’. Fasha orare e lëvizjes në ‘zonat e kuqe’ zgjatet deri në orën 21:00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve”, – tha Rama.

“Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje-dalja e automjeteve në ‘zonat e kuqe’. Qeveria do të ndryshojë nesër Aktin Normativ për heqjen e ndalesës së studiove televizive për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2 m nga njëri-tjetri”, – shprehet Rama.

“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj, si deri tani, dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht”, – thekson Rama.

“Masa 14-ditore për të vetëkarantinuarit nuk ndryshon dhe shkelja e saj ndëshkohet nga ligji dhe Kodi Penal”, – përfundoi Kryeministri./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com