Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në afërsi të Ministrisë së Brendshme.
Basha në daljen e tij për mediat ka theksuar se qytetarët e Tiranës duhet të ngrihen përballë këtij “regjimi”, ndërsa shtoi se grupi parlamentar i PD dhe organet drejtuese të PD do të jenë shumë shpejt në një takim për të marrë vendime të rëndësishme.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës që të njohin një të drejtë, të drejtën e tyre legjitime për t’u përballur me këtë regjim palaçosh e kriminelësh dhe të shpërfillin çdo gjë tjetër, që s’ka bandit si Edi Rama që t’jua heqë”,- theksoi Basha.
“Ka shumë pak banditë në dispozicion të regjimit për tu përballur me zemërimin e popullit që po fryhet çdo ditë me më shumë. Sot jemi këtu, për të dhënë një mesazh të qartë që PD e Lulzim Basha dhe opozita është këtu”,- shtoi Basha.
I pyetur nga një gazetarë se vendi po kalon një periudhë pandemia dhe lëvizja është e kufizuar, Basha theksoi se, “këtu po bllokohet demokracia, është mohuar buka e gojës. Ky regjim nuk njeh ligj, prandaj duhet vetëm përballje, kushdo tjetër që mendon ndryshe është vetëm një patericë e regjimit. Sa të jetë e nevojshme do të jem këtu. Prej 24-orësh non stop jemi në përballje me këtë regjim gangsterësh. Opozita e bashkuar ka dhe organet drejtuese të PD do vijojnë me një mbledhje të jashtëzakonshme të PD ku do merren vendime. Edhe një njeri të ngrihet përpara padrejtësisë është protestë kombëtare. Ramavirusi është virusi më i tmerrshëm se koronavirusi i ri”,- tha Basha.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, rinisë të derdhet në rrugët e Tiranës sonte, është nata për të treguar se Tirana nuk blihet, por ngrihet. Asgjë nuk është koronavirusi përpara Ramavirusit”,- tha Basha./atsh