Policia e Shtetit bën të ditur se “me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij”.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit deklaron se gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.
Më tej, informohet se Policia e Shtetit po vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.
“Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politikë, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19. Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disa javore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet”, citohet deklarata e Policisë.
Gjithashtu, Policia apelon fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës.
Sipas Policisë, në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit./atsh