Loading...

Basha: Vëmendja jonë te hallet e shqiptarëve, duhet të hapen kufijtë për të ndihmuar turizmin

“Qeveria duhet të marrë masa për përballuar krizën ekonomike pas pandemisë”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Gjatë një interviste televizive, Basha tha se “vëmendja jonë si opozitë është halli i përditshëm i shqiptarëve sepse vendi ka mundësi t’i bëjë ballë krizës ekonomike që po avitet dhe për të bërë atë sa më pak të dhimbshme për qytetarët, por kështu si po vazhdon kjo qeveri, kriza do jetë e papërballueshme”.

Në vijim, Basha u shpreh se “për pesë vite me radhë Maqedonia dhe Serbia kanë dy drejtime kryesore të zhvillimit të ekonomisë. Kanë mbështetur eksportet që prodhimet e qytetarëve të tyre të shkojnë në tregjet europian dhe kanë mbështetur investimet e huaja që të vijnë. Qeveria shqiptare i ka çuar paratë në dy drejtime, rilindje urbane, PPP dhe koncesione”.

Ai shtoi se teksa po afrohet sezoni turistik, mbahet mbyllur kufiri Kosovë-Shqipëri, ndërsa Greqia i hapi kufijtë.

“Qeveria shqiptare duhet të ulet me qeverinë e Kosovës për të bërë një plan duke respektuar sigurisht rregullat dhe të hapin kufijtë. 45% e turizmit vjen nga Kosova dhe një pjesë nga Maqedonia e Veriut”, tha ai.

Në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nëse ka opozita ndonjë strategji, Basha tha se “teatri është afera e radhës e korrupsionit. Ne jemi i vetmi vend në botë që në mesin e pandemisë, qeveria në mënyrë të paligjshme po vrapon të shembë një ndërtesë e cila është një monument kulture, është shumë më shumë se kaq, është një simbol, me një aferë të shumë përfolur që është e lidhur me zaptimin e territorit dhe ndërtimin e kullave aty, apo jo?”

Basha tha se përplasja mes palëve për teatrin është e gabuar.

“Ne nuk jemi një shtet paralel, as polici paralele dhe as ushtri paralele dhe natyrisht nëse shteti mobilizohet me të gjitha forcat, rezistenca do të jetë maksimale. Ta shikosh si përplasje mes dy palëve është gjeja më e gabuara”, theksoi ai.

Basha shtoi se “vendimi i Këshillit Bashkiak është i paligjshëm. Çfarë punë ka Këshilli Bashkiak të urdhërojë prishjen e një monumenti kulture. Nëse këto paskan plane për të bërë teatër, e kanë patur planin gati te bulevardi i ri, pse nuk e bëjnë aty dhe të restaurojnë këtë. Nuk është puna të bësh një teatër të ri, por të shembësh atë sepse pas tij ka troje publike dhe private dhe duan t’i grabisin edhe në kohë pandemie”.

“Teatri është një aferë e pastër korruptive dhe vjedhje, ndërsa mënyra sesi bëhet tregon qartë që këtu nuk funksionon asnjë normë e shtetit ligjor. Ky është një test gjithashtu edhe për disa institucione të ngritura rishtazi siç është SPAK-u, i cili urgjentisht duhet të hetojë falsifikimin e vendimit të Këshillit Bashkiak”, tha Basha duke shtuar se “opozita do marrë të gjitha masat e mundshme që të jetë në krah të qytetarëve dhe artistëve”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com