Loading...

Balla: Basha sa herë ka gjyq ngujohet në çadër ose në teatër

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se sa herë që Lulzim Basha ka një gjyq ka një ashpërsim të toneve ngujohet në çadër ose kthehet tek Teatri Kombëtar.

“Sa herë që Lulzim Basha ka një gjyq ka një ashpërsim të toneve dhe një kthim tek teatri. Në dhjetor kishte gjyqin në Shkallë të Parë dhe Lulzim Basha flinte tek Teatri Kombëtar, dje kishte gjyqin në Gjykatën e Apel dhe mbrëmë fjeti në sallën e Teatrit Kombëtar. Sa herë Luli ka gjyq shkon tek teatri për të bërë teatër. Mos e merrni seriozisht asnjëherë, pasi kur ka hall mundohet të kapet pas vagonit të fundit të zhvillimit të pakthyeshëm pas të Tiranës. Teatri nuk është vagoni i fundit, por është një prej vagonëve të shumtë të ndryshimit dhe zbukurimit të Tiranës, për ta bërë atë kryeqytetin e Shqipërisë europiane”, tha Balla.

I ftuar në emisionin ‘Kapital’ në Vizion Plus, Balla ka folur edhe lidhur me debatin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ku u shpreh se ky është rasti i radhës që vendos përballë botën e të bukurës dhe botën e Partisë Demokratike.

“Bashkia e Tiranës qeveriset nga PS, nga një këshill bashkiak që kanë mandatin e qytetarëve të Tiranës për të bërë punë publike dhe do të do të bëhet nga fondet e Bashkisë Tiranë. Njerëzit janë plotësisht dakord që të mos shkojnë më kurrë në një teatër që rrezikon të shembet, në një teatër ku të ha miu, por të shkojnë në një teatër të ri, i cili për nga projekti do të jetë një prej veprave arkitekturore më të mira në Ballkan. Prandaj është demokracia, populli mandaton përfaqësuesin dhe ai merr vendimet. Mundohem ta mirëkuptoj PD që është në një krizë të thellë programi, lidershipi dhe ekipi dhe mundohen të kapen pas gjithçkaje. Fatkeqësia e madhe e PD-së është pasi ata rendin pas çështjeve që në fakt kanë mbështetjen e njerëzve. Sot i gjithë publiku shqiptar është njohur me një grup të madh artistësh të vërtetë. Unë njoh për artistë shqiptarë Robert Ndrenikën, Ndrek Lucën apo Sandër Prosin. Nuk di të them se mund të krahasosh emrin e Robert Ndrenikës, Luftar Pajës e shumë artistësh të tjerë të popullit që i janë drejtuar sot Presidentit të Republikës apo dhe politikës së mbrapshtë të PD, ku i kërkojnë të heqin dorë nga kjo histori kundër të bukurës në vend. Procesi ligjor në lidhje me këtë çështje ka përfunduar dhe këshilli bashkiak ka bërë një vendimmarrje të cilët duhet ta respektojnë vendimmarrjen e ligjvënësve të këshillit bashkiak. Vetë PD kur ka qenë në pushtet nuk e ka përcaktuar atë godinë si godinë të trashëgimisë kulturore shqiptare”, u shpreh Balla.

Duke folur për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, Balla tha se qeveria po administron situatën e vështirë dhe ftoi qytetarët të ruajnë distancat dhe higjienën, për të dalë faqebardhë në luftën me armikun e padukshëm./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com