Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar Aleancës për Mbrojtjen eTeatrit të cilët janë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Në një prononcim për mediat, Basha tha se “Bashkia e Tiranës ka një kryebashkiak të paligjshëm, këshilli është inekzistent për sa kohë të jetë ky njeri, batërdia do vazhdojë, e gjitha kjo vjedhje dhe dhunë, zhvatje, e pronave ka vetëm një emër, Edi Rama. Ai është përgjegjësi”.
“Partia Demokratike ka qenë pranë artistëve, i bej thirrje qytetarëve që t’u qëndrojë pranë, po mbrojnë vijën e fundit pas së cilës vjen diktatura. Do kaloj orë të tëra këtu dhe do jem pranë tyre”,- tha ai.
“Jemi i vetmi vend në botë që qeveria në vend t’i mbrojë i grabit qytetarët. Në vend që t’i kushtohet vëmendje COVID-t Rama grabit pronat, ka 7 vite vjedhje, por pandemia tregoi fytyrën e vërtetë, se kur nuk ndalesh nga pandemia do të thotë je i pashpresë“, tha Basha.
“Jam këtu për të treguar solidaritetin tim personal dhe të gjithë opozitës dhe për tu kërkuar të gjithë qytetarëve të jemi solidarë për të mbrojtur një vijë të kuqe të demokracisë. Qytetarët kanë të drejtë të mbrohen me të gjitha mjetet. Kur shteti bie në dorë të banditëve dhe shkel ligjin dhe Kushtetutën siç po shkelet ligji dhe Kushtetuta këtu qytetarët mund të zgjedhin tu përgjigjen me çdo mjet”,- vijoi ai./atsh