Loading...

“4 vaksina po testohen për COVID-19”/ Brataj: Masat e dhanë rezultatin, qytetarët duhet të bëhen më të ndërgjegjshëm

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh sot se, masat drastike e dhanë rezultatin, por shtoi ai, “lirimi i masave do të thotë që ne të bëhemi më të ndërgjegjshëm për të mos transmetuar këtë virus”.

“Do kthehemi në normalitet sepse nuk ka sëmundje që duron përjetë. Eksperienca mijëvjeçare ka treguar që çdo sëmundje ka pasur ciklin e vet, pavarësisht ku ka qenë niveli i shkencës për t’iu përgjigjur me terapi apo vaksinë. Sot për fat të mirë i kemi këto dy mundësi. Kjo periudhë do të mbarojë. Sa më shumë ta respektojmë aq më pak dëme do të kemi. Masat drastike e dhanë rezultatin. Lirimi i masave do të thotë që ne të bëhemi më të ndërgjegjshëm për të mos transmetuar këtë virus”, tha Brataj.

Brataj gjithashtu u shpreh se në SHBA, por edhe në dy vende të Europës janë duke u testuar 4 vaksina. Brataj tha se rezultatet deri tani janë pozitive.

“Për vaksinat janë bërë disa studime. Ka filluar në SHBA dhënia e vaksinës së parë në mënyrë eksperimentale për të parandaluar COVID-19 si sëmundje. Ky program është ndarë në dy faza, janë marrë shumë vullnetarë. Duhet të jenë njerëz të pa sëmur dhe para se të veprohet mbi këta persona, kontrollohen me tampon të serologjisë që nuk kanë pasur infeksion. Janë zgjedhur dy grupe, 18-55 dhe 65-85 vjeç. Të dy po trajtohen me dy mënyra të ndryshme. Në grupin e parë do të bëhet një lloj vaksine me disa doza. Ndërsa në grupin e dytë që janë më të rrezikuar do të bëhet vetëm një”, tha Brataj.

“Janë 4 vaksina PNT162 që po eksperimentohen. Janë marrë 4 forma të ndryshme të virusit. Gjëja e parë është që këta persona që po eksperimentohen, kërkuesit shkencorë në radhe të parë nuk japin dëmtime, në radhë të dytë të japim rezultat të pritshëm dhe në radhë të tretë të zhvillojnë antitrupa”, tha Brataj.

“Këtu po punohet në SHBA, në Belgjikë dhe Gjermani. Kanë filluar të duken rezultatet e para tek njeriu. Kanë filluar të tregojnë që po prodhohen antitrupa. Kjo është pozitive. Prodhuesit e vaksinës garantojnë që me përfundimin e testeve brenda 2020 do të ketë disa milionë vaksina dhe brenda 2021 do të ketë disa miliona të tjera vaksina. Pra janë 4 lloj vaksinash dhe sinjali i parë është pozitiv, po prodhojnë përgjigje ndaj kësaj sëmundje. si do të jenë rezultatet këtë do ta thonë shkencëtarët në vazhdim”, u shpreh Brataj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com