Aktiviteti turistik do të fillojë në respektim të masave të përcaktuara, sipas protokolleve që kanë hartuar ekspertët e shëndetësisë, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe pushuesve nga përhapja e COVID-19.
Kështu u shpreh Rovena Moçka, drejtore e Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit gjatë një interviste televizive ku ndër të tjera tha se, “në kushtet e mbërthyera nga pandemia, COVID-19, ky është një vit mbijetese për sektorët e ekonomisë dhe të turizmit dhe kjo situatë nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë botën”.
“Kur flasim për parashikime të sektorëve të ekonomisë dhe atij turistik, duhet të kemi parasysh që pandemia nuk është konsideruar e mbyllur nga ekspertë shëndetësor. Kemi një liberalizim të fashave orare, duke marrë në konsideratë pikërisht ato që janë më të rëndësishme sot respektimin e masave që na vijnë nga ekspertët, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe të vizitorëve”, – tha Moçka.
Ajo që është e rëndësishme, nënvizoi ajo, është fakti që të rikthejmë aktivitetin e sektorëve ekonomikë dhe të turizmin duke respektuar protokollet e posaçme që janë një detyrim nga ekspertët e shëndetësisë, në kushtet kur pandemia nuk ka mbaruar dhe nuk ka një mënyrë sesi ne të mbrohemi përveç atyre masave që kanë rekomanduar ekspertët e shëndetësisë, distancimi fizik dhe higjiena.
Duke u ndalur në mbështetjen që ka dhënë qeveria për sektorin e turizmit në kushtet e pandemisë Moçka tha se, “në ndryshim nga shumë vende të tjera, turizmi ka qenë shtylla kryesore e ekonomisë që ka sjellë të ardhura rekord, ndaj turizmi ka marrë një paketë të posaçme ndihme, e konsideruar si paketa e pagave të luftës dhe jo e luksit, që do të thotë, ndihmë për të përballuar këtë situatë të vështirë. Për të vijuar me atë që quhet kredia për sektorin turistik. Janë këto disa mekanizma të ndërmarra nga qeveria shqiptare për sektorin turistik në këtë kohë të vështirë”.
Ajo tha se, pagat e luftës ka funksionuar për tre muaj, duke marrë në konsideratë që ky sektor të rinisë aktivitetin turistik.
Moçka tha se, “turizmi i brendshëm është një nga potencialet më të mëdha të rimëkëmbjes së sektorit, ndërsa është grupi i posaçëm i ekspertëve që njofton për liberalizmin e masave që do t’i paraprijë edhe hapjes së kufijve”.
“Është e rëndësishme të ruajmë emrin destinacion turistik, pasi vendet turistike janë duke marketuar nën këtë slogan, si vende të pastra dhe të sigurta nga COVID-19. Ndërsa do të kemi një liberalizim të masave të mëtejshëm, që nis më 18 maj me riaktivizimin e bareve dhe lokaleve, por që të gjithë duhet të tregohemi të përgjegjshëm në zbatimin e masave mbrojtëse”, – tha ajo. /atsh