Loading...

Balla: Nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën

Dita e Europës është festuar në mënyrë të veçantë këtë vit në qytetin e Vlorës, ku djemtë e aeronautikës shqiptare kanë fluturuar mbi qytetin e Vlorës më flamurin kuqezi.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i grupit parlamentar te Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në fjalën e tij deklaroi se nga Vlora janë dhënë gjithmonë mesazhe të rëndësishme për Europën.

“Falenderoj djemtë e aeronautikës shqiptare, për organizimin e këtij eventi kaq domethënës, se si aspiratën më të rëndësishme historike të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Europian e mban nën krahët e vet shqiponja dykrenare. Kjo ishte simbolika e këtij aktiviteti të organizuar nga djemtë, duke fluturuar sot mbi Vlorë dhe duke qenë se u ndodha këtu pranova me kënaqësi ftesën dhe nga Vlora do të doja t’i uroja së pari, familjes së madhe europiane ‘Gëzuar Ditëlindjen’, 9 Maji është dita e Europës, ku çdo vend anëtar dhe institucion i BE-së feston këtë ditë. Nga Vlora do të doja të shprehja urimet më të mira dhe nuk besoj se ka një vend tjetër në Shqipëri se ku shqiptarët mund t’i drejtohen më mirë sesa në Vlorë Europës, sepse nga Vlora i janë drejtuar gjithmonë shqiptarët Europës me mesazhe shumë të rëndësishme, sikurse ishte deklarata jonë e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, por edhe në momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Balla u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë t’i kalojnë pushimet në Vlorë.

“Si një mik i Vlorës, dua t’i bëj thirrje çdo shqiptari dhe çdo miku të huaj, që në kushtet e pandemisë botërore nga COVID-19 të planifikojë pushimet në një vend të bukur si Vlora. Këtu ku zemra rreh më fort për patriotizmin, kush e ndjen veten patriot, të vijë të bëjë pushimet në Vlorë”, u shpreh Balla.

Duke folur për mbështetjen e operatorëve turistikë nga qeveria, Balla tha se grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka mbështetur të gjitha nismat dhe paketa mbështetëse që ka ndërmarrë qeveria.

“Ne si grup parlamentar i kemi mbështetur të gjitha nismat dhe paketat mbështetëse që ka ndërmarrë qeveria. Dy paketat e para të qeverisë janë fokusuar tek ata që janë prekur drejtpërsëdrejti dhe që janë shtresat në nevojë, ku paga e luftës ishte e domosdoshme për çdo familje. Edhe ndaj biznesit, ju e dini që është miratuar në paketën e dytë garancia për të mbështetur me kredi, ku shteti merr përsipër pagesën e interesit dhe që të pakta janë vendet që e kanë ndërmarrë një nismë të tillë. Gjithçka do të merret në masën dhe kohën e duhur. Ajo që është më e rëndësishme është që jemi në kushtet që Vlora është ‘zonë e gjelbër’ dhe këto pushime nuk do të jenë siç kanë qenë çdo vit me grumbullime të mëdha. Duhet të vazhdojmë të ruajmë masat shtrënguese të distancimit social, sepse ata janë të domosdoshme”, tha Balla. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com