Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike.
Pas deklaratës së sotme të Kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh për një tryezë gjithëpërfshirëse për integrimin, vjen reagimi i kryetarit të PD-së.
“Vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t’u japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po ua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh”, deklaroi Basha.
Ai theksoi se “Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur”.
“Pandemia tregoi se ai e vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën dhe se për veten dhe klientelën e tij shkel mbi gjithçka. Kjo krizë vetëm sa nxori zbuluar të gjitha dështimet e Ramës: shëndetësinë e vjedhur, ekonominë e rrënuar, papunësinë e rritur, varfërinë në ekstrem, dhe shtetin prej kartoni të katandisur në regjim facebook-u. Janë dështimet e Ramës që po varfërojnë përditë njerëzit, po e rrënojnë ekonominë, dhe po na largojnë nga Europa”, tha Basha./atsh