Loading...

Pas 18 majit lehtësohet gjerësisht lëvizja/ Nëse ka rritje të numrave, hapa mbrapa

“Qëllimi ynë është që deri në fund të kësaj jave që vjen, duke parë gjithmonë numrat, të kemi një relaksim të mëtejshëm dhe pas 18 majit të fillojmë të lehtësojmë gjerësisht lëvizjen, qoftë brenda përbrenda, qoftë edhe për të kapërcyer kufijtë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, në Ditën e Europës, Rama tha se “çdo gjë që themi në këtë situatë ka gjithmonë një kusht, numrat duhet të na ndihmojnë për të bërë atë që kemi lajmëruar”.

Përndryshe, vijoi ai, “nëse kemi rritje të numrave, do të duhet të bëjmë hapa mbrapa”. Që të mos bëjmë asnjë hap mbrapa, do të duhet që të gjithë të kuptojmë që po të arrijmë individualisht të bëjmë gjënë e duhur, distancën dhe të gjitha ato të tjerat që janë mësuar përmendësh, ne mund ta mbrojmë shumë fort, jo vetëm shëndetin e familjarëve e të afërmve, por mund të mbrojmë shumë fort Shqipërinë në këtë proces hapjeje”, tha Kryeministri.

Ai tha se “fatkeqësia e madhe në këtë situatë nuk është që vendos shumica, por këtu vendos një pakicë shumë e vogël, që në rast se del jashtë kontrollit merr në qafë të gjithë shumicën”.

“Nëse të gjithë bëjnë detyrën individualisht, atëherë, ne nuk do të kemi probleme dhe do të vazhdojmë të jetojmë në një normalitet të ri. Por, nëse në 18 maj, ne hapim baret, restorantet, kafet në mjediset e jashtme dhe kjo nuk respektohet në emër të rikuperimit të humbjeve sa më shpejt, duke shtuar tavolina, duke shtuar njerëz, duke hapur brenda, kjo do të ishte vetëvrasje”, tha ai.

Kryeministri solli shembullin e Koresë së Jugut, ku u detyruan t’i rimbyllin përsëri, sepse situata doli nga kontrolli.

Rama tha se “është shumë e lehtë të dalë nga kontrolli kjo situatë”. “Është shumë e lehtë të thuash, duke parë që s’ka ndodhur asgjë, që ‘kjo ishte kot’, ‘pse u mbyllën’, ‘këtu s’ka gjë’ etj. Por, kjo nuk është diçka që mund ta provojmë, sepse do të ishte shumë e thjeshtë, d.m.th, e lëshojmë një javë dhe pastaj e shohin të gjithë ata filozofët, epidemiologët e FB apo të politikës sesi ndodh, por këtë nuk mund ta bëjmë. Kështu që vërtetë Zoti i shqiptarëve është i madh, por kjo që kemi bërë është rezultat i punës sonë të përbashkët. Kush thotë se kjo vjen si rezultat i një marrëdhënie preferenciale, i një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Zotit në favor të shqiptarëve, për të shpëtuar vetëm shqiptarët, nuk ka lidhje me Ditën e Europës, fare”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com