“Ndihmës së angazhuar deri tani të Bashkimit Europian për të përballuar situatën e luftës së përbashkët me një armik të padukshëm do t’i shtohet edhe më tej në vazhdim, ndihma nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020”, bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët me Ambasadorin e Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca në kuadër të Ditës së Europës.
“Sot”, tha Rama, “është Dita e Europës dhe na gjen në një situatë të jashtëzakonshme që na pamundëson ceremonitë dhe ritualet e zakonshme në kremtimin e kësaj dite të veçantë”.
“Por sidoqoftë”, theksoi Kryeministri, “faleminderit për mundësinë që këtu në Shtëpinë e Europës mund të japim së bashku një mesazh përshëndetës e kuptimplotë për të gjithë qytetarët shqiptarë”.
Rama tha se “para dy ditësh ne patëm një shkëmbim të rëndësishëm me udhëheqësit e Bashkimit Europian e rajonit në formatin e kësaj situate, përmes platformës dixhitale të samitit të parashikuar të Zagrebit nën presidencën kroate”.
Sipas Kryeministrit, ishte, sidoqoftë një takim në distancë me shumë përmbajtje e me një ndjesi të fortë afrimi e angazhimi të të gjithëve, për të përballuar, jo vetëm situatën e krijuar nga armiku i padukshëm, siç tanimë quhet botërisht, por edhe për të reflektuar për shumë çka që duhet çuar më tej e bërë bashkarisht.
“Në këtë kontekst nuk mundet veçse të rishprehet në mënyrë të vazhdueshme mirënjohja për miqtë tanë në Bruksel dhe në radhë të parë për miqtë tanë të Delegacionit këtu në Tiranë, që u gjenden përsëri pranë nesh pas tragjedisë së 26 nëntorit dhe konferencës së jashtëzakonshme e historike për Shqipërinë në Bruksel”, deklaroi Rama.
“Ambasadori e tha e unë dua ta përsëris, se siç doli qartë në diskutimin e Samitit të pardjeshëm, se mbështetja e institucioneve europiane do të vazhdojë për të gjitha vendet e do të përfshijë padyshim edhe vendet e Ballkanit Perëndimor e Shqipërinë, pavarësisht se nuk janë ende pjesë e BE-së në sensin e integrimit në BE, por janë pjesë e familjes europiane në sensin e ndërveprimit e qasjes së përbashkët në këtë luftë të një armiku të përbashkët që ka kërcënuar jetën e shëndetin e të gjithëve, po njësoj e që ka goditur të gjitha ekonomitë, duke na vënë të gjithëve në një vështirësi të pazankoshme”, u shpreh Rama.
“Përtej asaj që tha ambasadori”, tha Rama, ”dua të shtoj se ndihmës së angazhuar deri tani të BE për të përballuar situatën e kësaj lufte të përbashkët me një armik të padukshëm do t’i shtohet edhe më tej në vazhdim ndihma nga buxheti europian në gjysmën e dytë të vitit 2020”.
“Më vjen shumë mirë të informoj publikun se pas disa diskutimesh me Presidentin e Komisionit Europian, me Komisionerin për Zgjerim, me Presidentin e Këshillit, kemi marrë një aprovim në parim për të përfshirë edhe Bankën Qendrore Europiane në këtë ndihmë, përmes një ndërveprimi mes Bankës së Shqipërisë, bankave kombëtare të Rajonit dhe BEQ-së për të lehtësuar në mënyrë të ndjeshme të gjithë procesin që ka të bëj me financimin e ekonomisë, vendeve në kushtet kur vende si tonat që janë jashtë BE-së e kanë të vështirë në këtë situatë daljen në tregjet e kapitaleve edhe jo të lehtë të balancojnë goditjen e jashtëzakonshme që ka marrë ekonomia”, u shpreh Kryeministri Rama./atsh