Loading...

6 bashki mbeten “zona të kuqe”/ Rama: Në fundjavë vetëm automjetet e autorizuara për punë dhe këmbësorët në 2 fasha orare

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “nga e hëna e ardhshme do të mbeten vetëm ‘zonat e kuqe’ të përcaktuara në hartën bashkëngjitur, bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ku do të vazhdojë i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash të qarkullimit si deri tani”.

Kryeministri theksoi se “këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara”.

“E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21:00. Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “këtë fundjavë njësoj si fundjavën e shkuar, në të gjithë vendin do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha”.

“Deri në orën 09:30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10:30 deri në 17:30 prindërit me fëmijë deri në 14 vjeç. Nëse situata me numrat e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital vazhdon të jetë e stabilizuar, kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com