Presidenti i republikës ka përkujtuar sot një vjetorin e rënies në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni të Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj.
“Në një vjetorin e rënies në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, nderojmë sot me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtimin, sakrificën sublime, kontributet e çmuara, patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë të Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj”, është shprehur Meta.
Presidenti ka theksuar se, “rënia e tyre në krye të detyrës, është dëshmi e lavdishme e përkushtimit dhe sakrificës të Forcave tona të Armatosura në çdo angazhim dhe mision të NATO-s, në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së tyre. I përjetshëm kujtimi i tyre”.
Major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zerife Hasanaj, pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “Enhanced Forward Presence” në Letoni, humbën jetën një vit më parë, gjatë kryerjes së detyrave luftarake./atsh