Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tha se po merren të gjitha masat që shkollat të jenë gati për rikthimin e maturantëve në klasa në 18 maj deri në 5 qershor, ndërsa mbetet zgjedhje e tyre nëse do të duan të marrin pjesë në konsultime.
“Të gjitha masat po merren, bashkitë po bëjnë punën e vet, por edhe ne përmes drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, po bëjmë përgatitjet tona. Nëse nxënësit ndjehen se mund ta bëjnë provimin e maturës pa bërë këto konsultime mund të përgatiten vetë në kushte shtëpie. Mësimi online është zhvilluar gjatë gjithë kësaj kohe. Ka patur edhe transmetim në RTSH, leksione specifike për maturantët. Ka çdo ditë informacion shtesë për strukturën e testit dhe mënyrën sesi do të zbatohet ai. Kështu që një maturant që është duke i ndjekur të gjitha këto informacione, është plotësisht i përgatitur që ta bëjë provimin pa ardhur në shkollë. Nëse ndjehet shumë rehat, të vijë në shkollë. Por pjesa dërrmuese e letrave që kemi marrë nga maturantët është për kthim në shkollë dhe kjo është ajo që na ka shtyrë të shohim nëse është e mundur të bëhet ky kthim. Shumica dërrmuese kërkojnë kthimin në shkollë, kanë nevojë të bëjnë konsultimet përfundimtare me mësuesit e tyre para se të bëjnë testin”, u shpreh Shahini.
Shahini sqaroi faktin se edhe pse pyetjet e maturës do të jenë të gjitha me alternativa, shkalla e vështirësisë është po e njëjta me testet e kaluara. “Pyetjet me alternativa nuk e dobësojnë testin, e thjeshtëzon dhe shkurton kohën që i nevojitet nxënësit për ta plotësuar. Një pjesë e pyetjeve, duhet të zgjidhen. Pra një pjesë e pyetjeve duhet të zgjidhen, edhe pse përgjigja është me alternativa nxënësi duhet të kalojë kohë për të zgjidhur detyrën në mënyrë që të dijë se cila është përgjigja e saktë. Nxënësi duhet të jetë në gjendje të lexojë një tekst relativisht të gjatë, në mënyrë që të përgjigjet saktë, duhet të ketë një vëmendje të shtuar për tekstin që e lexon. Pra modifikimi është që të na mundësojë të shkurtojmë kohën që nxënësi kalon me provimin, pra që të mos bëjë zgjidhje të gjata të detyrave dhe shkrim të gjatë të eseve dhe na mundëson korrigjimin digjital që të mos jemi të detyruar të mbledhim një numër të madh të mësuesve në salla të cilat shfrytëzohen për të korrigjuar provimet”, sqaroi ministrja Shahini.
Sipas saj, që të bëhet korrigjimi digjital është hartuar teksti me alternativa, por këto nuk janë pyetje të lehta. Një pjesë e pyetjeve prapë kërkojnë zgjidhje, në mënyrë që të jepet përgjigja e saktë, sidomos për shkencat dhe matematikën./atsh