Loading...

Manastirliu: Nga data 4 maj vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave me rregulla e protokoll sigurie

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka kujtuar edhe njëherë se nga dita e hënë, 4 Maj, “vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave shtrënguese, me rregulla dhe protokolle sigurie, që duhen zbatuar nga të gjithë”.

Manastirliu ka vënë në dukje rezultatet e arritura falë masave të marra në kohën e duhur.

Duke publikuar grafikun e Coronavirus Worldmeter, Manasirliu thekson se këto janë disa fakte të rëndësishme mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri.

“Falë masave të marra në kohën e duhur, falë rezistencës të qytetarëve, falë punës së palodhur të epidemiologëve, urgjencës mjekësore, mjekëve, infermierëve, u arrit përballimi me sukses i fazës së parë të epidemisë”,- thekson Manastirliu.

“Nga dita e hënë 4 Maj, vijojmë me hapa të kujdesshëm lehtësimin e masave shtrënguese, me rregulla dhe protokolle sigurie, që duhen zbatuar nga të gjithë. Bashkëpunimi i secilit prej jush është thelbësor, që të vijojmë përpara me Planin tonë të lehtësimit, pa rrezikuar të kthehemi mbrapsht! Të respektojmë rregullat e distancimit social, masat e higjienës personale duke ruajtur veten dhe familjen”, -nënvizon Manastirliu.

Sipas Coronavirus Worldometer, rezulton se vendi ynë ka numrin më të ulët të jetëve të humbura në Europë dhe rajon nga COVID-19 për 1 milionë banorë.

Tri të hënat e ardhshme do të shoqërohen me lehtësime javë pas jave, shprehet Kryeministri, ndërsa thekson se, “ky plan do të ndryshojë, nëse dinamika e epidemisë ndryshon negativisht”.

Plani i masave lehtësuese nga data 4 maj, parashikon shtimin e “zonave të gjelbra”: Tropojë, Peqin, Gramsh, Kuçovë, Skrapar, Maliq, Kolonjë, Selenicë, Rrogozhinë, Belsh, Cërrik, Ura Vajgurore, Berat, Poliçan, Devoll, Pustec, Mallakastër dhe Vlorë.

Në të gjithë vendin do të lejohet shërbimi taksi për udhëtimet ndërqytetase, me deri dy pasagjerë, anëtarë të një familjeje.

Të riatdhesuarit që janë me banim në “zonat e kuqe” do të vetëkarantinohen në banesë. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com