Shefja e Reanimacionit të Spitali “Shefqet Ndroqi”, profesoreshë Alma Cani, ka reaguar për situatën e krijuar nga koronavirusi, ku jep dhe një mesazh falënderues për gjithë ekipin që po përballet me këtë virus të rëndë.
Duke kujtuar me shumë dhimbje ata që nuk mundën dot të shpëtohen, e duke pranuar se sa vuajtje u shkakton bluzave të bardha kjo humbje, ajo thekson se “nuk kemi kohë të vajtojmë, të lëshohemi, ne na duhet të ngrihemi, të vrapojmë pasi një jetë tjetër duhet shpëtuar!”.
“Në këto ditë të vështira të pandemisë mbarëbotërore të gjithë ne u ndeshëm me një realitet që ishte jashtë imagjinatës, përpara një lufte misterioze e të padukshme që na tjetërsoj jetën. Na bëri të kuptojmë që fjala e urtë e popullit se: “Çfarë sjell minuti nuk e sjell sahati”, kishte ndodhur tashmë. Prej vitesh në spitalin SUSN, stafi i reanimacionit është marrë me pacientët që në situatat gripale trajton kryesisht komplikacionet nga gripi që atakojnë mushkërinë duke alternuar frymëmarrjen dhe duke kërkuar asistenca të respiracionit me ventilator. Ky ritual i përvitshëm ishte bërë pjesë e punës sonë, sapo temperaturat uleshin e ditët e dimrit afroheshin. Por sivjet ishte ndryshe, kjo ishte një përballje që u shfaq në botën mbarë dhe lufta ishte e fortë. Përveç ngarkesës dhe dinakërisë të këtij virusi të padukshëm, na duhej të përballeshim emocionalisht dhe psikologjikisht me gjëra të panjohura më parë për mbarë njerëzimin”, shprehet ajo.
Cani shpeh mirënjohje për të gjithë mjekët, specializant të reanimacionit, infermierë e sanitarë që sipas saj, dhanë shpirt, dhanë ndihmë, u gjendën çdo ditë, orë, minut, natë e ditë e nuk pyetën për orën, nuk patën diferencë kur ishte ditë apo natë, por u gjendën në çdo moment aty për të ndihmuar jetët e atyre pacientëve ku e keqja nga jeta ndaheshe me një vizë.
Me tej, shefja e Reanimacionit thekson se “do t’i shërbejmë deri në frymën e fundit pacientëve duke bërë përpjekjet maksimale në ndihmë të jetës njerëzore”.
“Unë do doja sot t’ju prezantoj secilin nga ju me emër, pavarësisht se e di që ju do thoni: ne bëmë detyrën, dhe këtë punë e kemi bërë e do vazhdojmë ta bëjmë pasi që në fillimet e studimeve tona kemi bere një betim, betimin e Hipokratit që do t’i shërbejmë deri në frymën e fundit pacientëve duke bërë përpjekjet maksimale në ndihmë të jetës njerëzore. E ndjej si obligim moral e qytetar që t’ju prezantoj me krenari juve kolegë e mjekë të shkëlqyer: Alban Hatibi, Fahri Kokici, Eljana Shima Mezini e Arjan Vyshka! Ne ishim të gjithë bashkë në një rrahje zemre, në një ritëm sinusal kardiak , pa çrregullime ritmi, diskutuam, debatuam, për të bërë më të mirën e mundshme duke qenë në unison në mendim e veprim! Ishim të gjithë bashkë ditën, natën duke ndjekur me ankth ndryshimet e situatave klinike të pacientet, që çuditërisht alternoheshin në mënyrë të menjëhershme duke na befasuar dhe duke na bërë të vepronim teknikisht në terapi e në invazionin e mjekimit për të shmangur të keqen. Një suport i jashtëzakonshëm nga specializantet e reanimacionit: Alsa Gjoka, Holta Kraja, Anri Troja, Luna Nasipi, Genta Zotaj dhe Malvina Shkurta!”, shprehet ajo.
“Ju dëshmuat që jeni të aftë të jepni maksimumin tuaj në ndihmë të jetës të qytetarëve duke treguar profesionalizëm e shkathtësi, gatishmëri e inteligjencë, duke e ezauruar faktin e dhënies së testit të provimit. Pasi ju u përballët në fushën e betejës për fitorën e jetës! Dhe nuk mund mos lë pa falënderuar e theksuar pjesën e ekipit të reanimacionit më të rëndësishme dhe që bëjnë punën kryesore pranë pacientit: Merita Toci Lika (Kryenfermierja), Aida Shehu, Laje Janku, Elsa Imerati, Shpresa Korumi, Besarta Bardhoshi, Alma Qefalia, Brikena Xhini, Klaudia Doga, Miranda Tosku, Blerina Mara, Migena Rakipi, Sose Selmani, Adela Belba, Arjola Ilnica, Marsela Dashi, Vjollca Metani, Bukurie Husha, Lume Luzi, Sofie Stafa, Luljeta Bitri! Mirënjohje pafund për punën dhe përkushtimin tuaj!”.
“ Ju jeni ato që qëndruat në frymëmarrjen e atyre pacientëve duke dhënë jo vetëm terapi, por edhe dashuri, duke u përkujdesur me përkushtim, profesionalizëm, pa hezituar asnjë moment pavarësisht rrezikut që mund të kishit për jetët tuaja! Të gjithë së bashku ne u përpoqëm të japim ndihmë, të japim zemër, të japim frymë të gjithë atyre qytetarëve të cilët folën më ne, na besuan jetën e tyre, shtrënguan duart me ne për ta sfiduar virusin, që me djallëzinë e tij në mënyrë të papritur të ndaltë jetën atëherë kur kishim menduar se kishim fituar”, deklaron ajo.
Duke qenë të ndërgjegjshëm deri në dhimbje që nuk mund të kënaqim deri në fund shpresat njerëzore, ajo deklaron se “për bluzat e bardha shkalla e vuajtjes është e pamatshme! Prandaj ne na quajnë “shëruesit e sëmurë”.
“E them këtë se për ne shpëtimi i jetëve sfumohet nga humbja e tyre. Në memoriet tona mbeten humbjet e jetëve njerëzore duke përjetuar me dhimbje ndalimin e një frymëmarrje, rrahje zemre, ndalimin e jetës. Ashtu si familjarët e pacientëve që ndiejnë dhimbje për humbjen e të dashurve të familjeve të tyre dhe për ne stafin mjekësor ndiejmë keqardhje për humbjen e jetës ashtu siç do ta kishim ndjerë për një pjesëtar të familjeve tona”, shprehet mjekja Cani.
Sipas saj, pavarësisht nga dhimbja e humbjes të familjarëve të tyre të shtrenjtë, qytetarët nuk nguruan të shprehin falenderimet nëpërmjet mesazheve duke shprehur mirënjohjen e shpirtrave fisnik për punën e palodhur, duke na obliguar me shumë e duke na dhënë forcë për ta vazhduar më tej luftën.
“Por ne nuk kemi kohë të vajtojmë, të lëshohemi, ne na duhet të ngrihemi, të vrapojmë pasi një jete tjetër duhet shpëtuar! Sot quhemi heronj! Ne kemi bërë një betim, ne po kryejmë detyrën që e kemi bërë e do vazhdojmë ta bëjmë pasi ky është misioni i bluzave të bardha, të shpëtojmë jetën, të sjellin buzëqeshje, të lehtësojnë dhimbjen, e të oksigjenojnë frymën njerëzore!
“Mirënjohje për ju të gjithë mjek, specializantë, infermierë e sanitarë për punën tuaj, përkushtimin, profesionalizmin tuaj! Ju jeni heronj jo të heshtur, por të shumëshkolluar që keni investuar prej vitesh në dijet tuaja, duke studiuar, trajnuar për të dhënë maksimumin e mundshëm për Triumfin e Jetës! E nderuar që jam pjesë e këtij stafi të mrekullueshëm! Puna jonë vazhdon! Të gjithë bashkë do ja dalim”, përfundon ajo. /atsh