Mjeku infeksionist, prof. Pëllumb Pipero, që vijon të jetë në vijën e parë të “zjarrit” në luftën kundër COVID-19, në Spitalin Infektiv të QSUT-së, në Tiranë deklaroi sot se numri i pacientëve që shërohen po shtohet çdo ditë.
Gjatë një interviste televizive, Pipero u shpreh se “sinqerisht dua të ndaj lajme të mira”, pasi sipas tij, edhe numri i rasteve i të shtruarve në spital ka ardhur ndjeshëm duke u ulur sikurse edhe numri i rasteve që janë më të rënda është më i reduktuar”.
“Natyrisht, media preferon më shumë lajmin dhe preferon të tregojë rastet e reja pozitive që dalin çdo ditë diku më shumë e diku më pak, por këto raste janë asimptomatikë dhe nuk janë tregues real i ecurisë së epidemisë në vendin tonë. Ato janë thjesht tregues epidemiologjik që do t’i shërbejnë më vonë studimeve epidemiologjike për të shikuar sa dhe si na preku koronavirusi”, u shpreh Pipero.
Ai theksoi se “trendi është qëndrueshëm në ulje dhe shumë pozitiv pasi epidemia në vendin tonë është mirëmenaxhuar dhe ju siguroj për këtë”.
Më tej, mjeku Pipero u shpreh se epidemia po bie në mënyrë të qëndrueshme dhe tani jemi në fazën e dytë dhe kjo zgjat pak më shumë, por duhet ta dimë që virusi është ende aty edhe pse i ka rënë ritmi dhe agresiviteti.
“Duhet të jemi të kujdesshëm për të shikuar ritmin e transmetueshmërisë. Kjo i bën institucionet shqiptare të jenë të kujdesshëm në lëshimin e masave shtrënguese të cilat unë kam qejf ti quaj shumë të arsyeshme. Jam shumë optimist që gjysma e parë por edhe e dytë e majit do të na gjejë shumë më të relaksuar”, deklaroi Pipero.
Gjithsesi Pipero apeloi për kujdes të shtuar, që sipas tij, nga kjo mund të kemi vetëm gjëra të mira.
Sa i përket numrit të testimeve, Pipero shprehet se “duhet të kemi aq sa duhet, aq sa e kërkon ecuria e epidemiologjisë në vendin tonë. Strategjia që kemi ndjekur ne ka qenë strategji që gjurmon. Po të shikoni pozitivitetin e mostrave tona kanë qenë relativisht më të larta se vendet e tjera, pra kemi qenë më afër vatrës dhe kjo gjë na mundëson ta ndërpresim më shpejt zinxhirin epidemiologjik”.
Ai deklaroi se “unë kam qenë dhe jam kundër një testimi masiv sepse nuk na çon gjëkundi. I shërben statistikës, por jo epidemisë”.
Gjithashtu, Pipero tha se rritja e temperaturës dhe lagështisë e minimizon transmetueshmërinë e virusit.”Rrezet e diellit janë shumë pozitive dhe të rekomanduara për t’u ekspozuar dhe kjo është fakt dhe evidencë që me rritjen e temperaturave ulet transmetimi i virusit”.
“Mundësia e rikthimit në verë është e vogël, por nuk përjashtohet në vjeshtë apo dimër. Unë jam besimplotë që do të kemi një verë të shëndetshme për qytetarët dhe do të kemi edhe plazhe, por s’mund të jemi si një vit më parë. Do jemi me disa masa që në dukje nuk janë shumë të mira, por janë shumë të dobishme për të mundësuar mbajtjen nën kontroll të virusit edhe gjatë periudhës së verës”, deklaroi Pipero. /atsh