Ilir Versula punon si kryeinfermier në pavijonin e dytë të shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i njohur ndryshe edhe si spitali COVID 1.
Në një rrëfim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Versula i cili prej 12 vitesh punon në QSUT, tregon vështirësitë e të qenurit në frontin e parë të luftës ndaj COVID. Ai e nis punën çdo ditë në orën 7 të mëngjesit për ta përfunduar atë në orët e vona të mbrëmjes.
“Unë e nis punën që orën 7 të mëngjesit deri në orët e vona. Nuk ka një orar fiks kur duhet të lësh punën, por në varësi të situatës. Ka pasur plot raste që kam ndenjur edhe tërë natën. Edhe ne, si të gjithë njerëzit kemi frikën se mos infektohemi por kjo frikë është deri kur mbërrijmë në punë, më pas ikën kjo frikë. Duke i shërbyer pacientëve ne heqim edhe frikën tonë. Gjëja e parë që bëra si kryeinfermier në ditët e para, ishte t’i hiqja frikën pjesës tjetër të infermierëve. Në fakt, kemi pasur një shembull kurajoje për këtë gjë. Profesoreshë Najada na tregoi më së miri që edhe pse gjithçka ishte situatë e re dhe e panjohur për ne, ajo që në ditën e parë hynte tek çdo i sëmurë në gjendje të lehtë apo të rënduar. Profesoreshë Najada që nga dita e parë e deri tani, nuk ka hezituar në asnjë moment të hyjë tek çdo i sëmurë dhe t’i shërbejë çdo të sëmuri. Një shembull i vërtetë kurajoje”, rrëfeu Versula për ATSH-në.
Ai tregon se pasi përfundon punën, i duhet të qëndrojë me maskë në shtëpi për të garantuar siguri për djalin 3-vjeçar. “Unë kam një djalë 3 vjeç dhe e kam mjaft të vështirë të ruaj distancën me të. Nuk e kisha menduar kurrë që do të jetonim në një situatë kaq shumë të vështirë. Djalin e kam në shtëpi por menjëherë pasi përfundoj punën, gjëja e parë që bëj është të bëj banjo. Më pas vendos menjëherë maskën dhe e mbaj atë gjatë gjithë kohës edhe në shtëpi. Nuk mund ta mohoj që për një djalë 3 vjeç që kërkojë të luajë më babanë e tij, kjo nuk është normale por t’i qëndrosh larg tij, është sfidë e madhe për mua”, u shpreh Iliri.
“Prindërit nuk i kam takuar që prej ditës së parë, pra të konfirmimit të rastit të parë në Shqipëri me COVID. Pasi mbaroj punën, i përshëndes në distancë por nuk mund t’i takoj si më parë apo të mund të qëndroj në shtëpi tek ta. Mundohem të mos rrezikoj prindërit, sepse jam çdo ditë në shërbim të pacientëve që janë pozitivë ndaj COVID-19″, tregon ai.
Ditët e para për të gjithë personelin, përfshirë edhe kryeinfermierin Versula, ishin tejet të vështira edhe për një fakt tjetër.
“Në fillim ishte shumë e vështirë, sepse ishte diçka e re dhe e panjohur për të gjithë mjekët dhe infermierët. Gjëja e parë ishte të hiqnim frikën e vetë personelit dhe duhet të hyje vetë ti i pari tek pacientët, që të mund të bënin të njëjtën gjë edhe infermierët e tjerë. E panjohura me këtë virus, ishte frika e parë për të gjithë ne. Kështu që, menjëherë organizova punën duke dhënë shembullin tim, më pas pjesa tjetër bëri të njëjtën gjë. Problemi i ditëve të para ishte edhe sepse kishte fluks të sëmurësh por tanimë gjendja është stabilizuar. Duke mbështetur njëri-tjetrin, ia dolëm mbanë që të kishim një organizim në mënyrën sesi duhej përballuar kjo situatë”, tregon kryeinfermieri.
Për Versulin, të gjitha pajisjet mjekësore që personeli mjekësor mban veshur tërë kohën janë të sikletshme për shkak se të shkaktojnë edhe vështirësi në frymëmarrje apo dëgjim. Por, motivi i vetëm që ua lehtëson këtë gjë, është shërimi i pacientëve.
“Ne të gjithë jemi të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse të nevojshme për t’u ruajtur nga ky virus. Por, përveç frikës nga mënyra sesi i heqim masat mbrojtëse pasi mbyllim punën, është edhe mënyra sesi i mbajmë ato gjatë kohës që jemi në shërbim të pacientëve. Maskat janë të sikletshme, të kufizojnë shikimin për shkak të syzeve, të kufizojnë dëgjimin, të japin dhimbje koke të vazhdueshme sepse syzet janë të shtrënguara pas kokës, të lodhin, të vrasin nga shtrëngimi si dhe të japin vështirësi në frymëmarrje. Por, këto nuk kanë rëndësi për ne, sapo mësojmë që një tjetër pacient është shëruar. Pavarësisht vështirësive të maskave, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të shëruar çdo pacient të sëmurë. Në punë nisem me zemrën që pacientë të tjerë do të shërohen edhe sot. Jemi bërë njësh bashkë me pacientët. Nuk ka intereson frika jonë por shërimi i tyre”, u shpreh ai.
Në fund të intervistës për ATSH-në, Versuli ka një mesazh për të gjithë qytetarët.
“Qytetarët duhet të na japin një dorë. Ne jemi duke shërbyer por ata duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm për shëndetin e tyre dhe të të afërmve të tyre”./atsh