Loading...

Teatri Kombëtar kujton 90-vjetorin e lindjes së regjisorit Esat Oktrova

Teatri Kombëtar kujton 90-vjetorin e lindjes së regjisorit dhe një prej figurave të shquara të teatrit shqiptar, Esat Oktrova.

Oktrova është shpallur “Qytetar nderi” i Pogradecit dhe i Shkodrës. Ka mbajtur titullin shkencor “Profesor” dhe është dekoruar me titullin “Artist i merituar”.

“Esat Oktrova lindi në Pogradec më 28 prill 1930 dhe vdiq në Tiranë më 21 mars 2001. Mësimet e para i mori në qytetin e Pogradecit dhe në shkollën e mesme në Korçë. Më pas vazhdoi Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në këtë kohë fillon karriera e tij në fushën e aktrimit, veçanërisht në “Estradën e Ushtarit” në Tiranë, ku ra në sy talenti i padiskutueshëm.

Pas mbarimit të ushtrisë ai vijoi studimet e larta në Institutin e Lartë Shtetëror të Artit Teatral në Moskë, në Fakultetin e Regjisë. Pas përfundimit të studimeve, emërohet fillimisht regjisor e më pas drejtor i Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Gjithashtu, ai ka qenë një nga pedagogët e shquar të Fakultetit të Artit Skenik në Akademinë e Arteve, në lëndën e regjisurës së teatrit, hartues i programeve dhe teksteve mësimore. Është shpallur “Qytetar nderi” i Pogradecit dhe i Shkodrës. Ka mbajtur titullin shkencor “Profesor” dhe është dekoruar me titullin “Artist i merituar”, bëhet me dije përmes një mesazhi të publikuar prej Teatrit Kombëtar, në kujtim të 90-vjetorin e lindjes së regjisorit, Esat Oktrova. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com