Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të ketë lehtësim të lëvizjes në disa zona që nuk janë të prekura nga infeksioni COVID-19.
“Ne do të bëjmë lëvizje të përshkallëzuar në një sërë zonash që janë me risk të ulët”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri deklaroi se do të mbetet e mbyllur lëvizja ndërqytetase.
Sipas Kryeministrit, në qarkun e Gjirokastrës në qarkun e Dibrës, në bashkinë e Divjakës në Bashkinë e Sarandës, në Konispol e Himarë, Pogrades Përrenjas e Librazhd do të ketë më shumë liri lëvizjeje.
Në Sarandë, Konispol e Himarë, si dhe në Pogradec, Përrenjas e Librazhd, u shpreh Kryeministri, do të ketë liri lëvizje të ndërmjetme, pra edhe mes njëra-tjetrës.
Kryeministri theksoi se ministrja e Shëndetësisë do të bëjë të ditura edhe rregullat që do të funksionojnë në këto zona.
Hapja, sipas Kryeministrit, është një proces që duhet filluar.
“Hapja sjell jo vetëm rrezikshmëri më të lartë për infektimin, por edhe mundësi që numrat të rriten, pra aty ku ska raste deri tani, mund të kemi shfaqje të infeksionit. Por ne nuk mund të qëndrojmë të mbyllur deri sa të dalë vaksina, pasi ende nuk ka një kohë të caktuar se kur mund të dalë. Jo se do të vdesim për bukë, pasi në historinë e Shqipërisë, nuk ka vdekur njeri për bukë, por se nuk mban më, pasi se di askush kur do të dalë vaksina për 1 vit apo dy vjet”, vuri në dukje Kryeministri.
Por theksoi ai, duhet të garantojmë sjelljen dhe rregullat në të gjitha aspektet.
Sipas tij, këtu nuk është çështja e Kodit Penal, por kodit njerëzor, pasi duke zbatuar rregullat, ti mbron familjen tënde.
Në këto zona , theksoi Rama, do të mundësojmë që lëvizja fshat-qytet të jetë më e relaksuar.
“Do të mundësojmë që pensionistët të dalin në një fashë të tyren në mëngjes, ashtu sikurse edhe për nënat me fëmijë deri në moshën 10 vjeç. Por nuk do të lejohet grumbullimi më shumë se 2 persona, apo në parqe e pikniqe, pasi thyerja e rregullave mund të na kthejë mbrapa”, deklaroi Rama./atsh