Loading...

Klosi: Turizmin do ta nisim më shpejt se rajoni, vera shënon rihapjen e plotë të vendit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi sot se “vera do të shënojë rihapjen e gjithë jetës sociale të vendit dhe kjo do të shoqërohet me masa më të larta sa i përket higjienës dhe distancimit social, por turizmi do të jetë injeksioni i parë që do të hyjë në ekonomi, edhe me para të ardhura nga jashtë, por edhe brenda”.

Në një intervistë televizive ministri Klosi tha se “virusi po kontrollohet për momentin shumë më mirë se më përpara. Kemi lajme të mira për gjetjen e kurës dhe vaksinës, ndaj duhet të fillojmë të mendojmë se fundi i muajit maj do të ketë shumë më tepër lehtësira sa i përket sektorit të turizmit”.

Ministri Klosi u shpreh se “me gjithë dëshirën për një hapje sa më të shpejtë të qeverisë shqiptare, vendimi i takon institucioneve përgjegjëse, që është shëndetësia dhe task-forca”.

“Formula është të shohim se si veprojnë partnerët ndërkombëtarë të operatorëve tanë turistikë, por të gjitha gjasat janë që sektori tek ne të hapet më shpejt se rajoni”, – nënvizoi Klosi.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që turistët e huaj të cilët kanë shprehur dëshirën të pushojnë në Shqipëri dhe janë nga vende më pak të prekura si Çekia, Ukraina etj., të transportohen më charter, por shtoi se nuk mund të flitet për vendimmarrje në këtë rast, pasi kjo do të nënkuptonte kontrata, të cilat nëse nuk realizohen sjellin humbje për të dyja palët.

“Jam optimist, duke parë energjinë që ka turizmi në Shqipëri, i kemi mundësitë që të bëjmë një lëvizje të shpejtë në treg”, tha Klosi.

Ministri e përjashtoi mundësinë që këtë vit të kemi plazhin klasik me grumbullime e festa, pasi kjo gjë tha ai është e pamenaxhueshme, por shtoi se po diskutohen të gjitha mundësitë që mund të ofrojnë strukturat hoteliere në Shqipëri.

“Do kemi rregulla për hotelerinë, që nga ushqimi i ofruar në mënyrë individuale, jo ne restorante, në bare në natyrë apo me distancë”, tha ai.

Klosi u shpreh se “turizmi është sektori që ka përfituar nga të dyja paketat financiare të qeverisë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com