[sgmb id=”1″]
Në Parlamentin e ri të Shqipërisë 33 deputetë janë me gradën më të larta shkencore, ndërsa përkrah tyre do të ulen tre studentë që nuk kanë marrë ende diplomën, si dhe një deputet që ka deklaruar se nuk ka arsim të lartë. Të tjerët kanë deklaruar diplomim të rregullt në një ose më shumë fusha studimi.
Gradat
Në raportin e publikuar nga Instituti i Studimeve Politike vihet re se me tituj shkencorë, Partia Socialiste në gjirin e saj ka më shumë deputetë se çdo parti tjetër. Pas saj renditet Partia Demokratike, e cila ndiqet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në Parlamentin e ri me titullin “Profesor Doktor” janë 10 deputetë. Katër prej tyre janë nga Partia Socialiste. Akademikët e PS-së janë: Anastas Angjeli, Besnik Baraj, Evis Kushi dhe Vasilika Hysi. Po katër ka dhe Partia Demokratike: Sali Berisha, Tritan Shehu, Valentina Duka dhe Romeo Gurakuqi janë akademikët demokratë. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet nga Shezai Rokaj dhe Edmond Panariti. Në Parlamentin shqiptar me titullin “Profesor i Asociuar” janë 6 deputetë. Partia Socialiste përfaqësohet me 4: Englantina Gjermeni, Mirela Kumbaro, Ismet Beqiraj dhe Andrea Marto, ndërsa Partia Demokratike me dy profesorë të asociuar: Luçiano Boçin dhe Fatbardha Kadiun.
Ndërsa me gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në Parlamentin e ri janë 17 deputetë, 11 prej tyre janë të Partisë Socialiste: Taulant Balla, Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj, Blerina Gjylameti, Flamur Golemi, Adnor Shameti, Klodiana Spahiu, Ogerta Manastirliu, Vilma Bello, Alket Hyseni dhe Elona Gjebrea. Partia Demokratike ka më pak se sa PS-ja, pra ka ka katër me gradën “Doktor i Shkencave”: Jorida Tabaku, Grida Duma, Dashamir Shehi dhe Orjola Pampuri. Ndërsa LSI ka me këtë gradë dy deputetë; kryetarja Monika Kryemadhi dhe Vangjel Tavo. Në total 33 nga 140 deputetët kanë grada të larta shkencore, ndërkohë që katër deputetë vijojnë studimet doktorale, si dhe mbi 20 kanë njoftuar në CV e tyre se kanë përfunduar studimet master. Dy partitë e tjera, PDIU e PSD nuk kanë deputet me tituj shkencor.
Arsimi
Referuar të dhënave të evidentuara nga Instituti i Studimeve Politike në projektin monitorues ëëë.deputetim.al rezulton se parlamenti i ri përbëhet në shumicë nga juristët, të cilët janë 36 ndërsa ndiqet nga ekonomistët numri i të cilëve është 31. Disa deputetë kanë më tepër sesa një fakultet, dhe pothuajse të gjitha fakultetet e dyta janë juridik, kryesisht në universitete private ose në universitetet e qyteteve të tjera. Dy deputetë kanë deklaruar studimet juridike jashtë vendit, njëri në Holandë dhe tjetri në Strugë, shtatë deputetë në tërësi kanë deklaruar përfundimin e studimeve jashtë vendit. Kategoria e tretë më e përfaqësuar janë mjekët, të cilët janë 13 dhe bashkë me ta kemi edhe një farmacist në Parlament.
Kategori të tjera të përfaqësuara profesionale janë inxhinierët, mësuesit, kimistët dhe më pas veterinerët dhe agronomët. Në total gjashtë deputetë kanë studiuar shkenca politike ose marrëdhënie ndërkombëtare, gjashtë të tjerë kanë mbaruar akademinë ushtarake apo policore. Dy deputetë kanë përfunduar Akademinë e Sporteve dhe dy kanë studiuar në arte, njëri në pikturë dhe tjetri në menaxhim arti. Kur shihen të dhëna të tilla duket se është përmbushur nevoja e madhe që elitat tona politike kanë për njohuri të thelluara në çështjet juridike (funksioni kryesor i parlamentit është shqyrtimi dhe miratimi i ligjeve) dhe në çështjet ekonomike (gjithçka varet nga ekonomia).
Nëse hyjmë në brendësi të dhënat nuk janë aq pozitive: nga 36 deputetë juristë 12 e kanë fakultet të dytë kryesisht part-time, vetëm 3 deputetë janë diplomuar në juridik përpara vitit 1990, 15 deputetë kanë përfunduar studimet juridike në universitete private përfshirë në tre universitete të mbyllura tashmë, dhe vetëm 10 nga 36 deputetë kanë përfunduar studimet e rregullta në Universitetin e Tiranës. I njëjti arsyetim vlen edhe për ekonomistët e dhe financën, kryesisht të diplomuar në UT ose në universitete të tjera, përfshirë disa universitete periferike ose private. Për transparencë ia vlen të theksohet se kryeministri aktual ka studiuar pikturë, kryetari i shumicës parlamentare ka studiuar biokimi, kryetari i pakicës parlamentare ka studiuar gjeologji miniera, një tregues se fusha e studimit nuk mbetet një tregues suksesi në karrierë në sistemin tonë partiak e politik.
Religjioni i deputetëve të parlamentit të ri
Dy ditë më parë Instituti i Studimeve Politike përmes projektit www.deputetim.al prezantoi raportin fetar në parlamentin e ri. Konkretisht në parlament do të jenë 100 deputetë të besimit mysliman ose 72% të parlamentit, 23 deputetë të besimit ortodoks ose 16% të parlamentit dhe 17% të besimit katolik ose 11% të parlamentit. Referuar qarqeve, pothuajse asnjë qark nuk ka ndarje të përputhshme me shifrat e INSTAT, megjithatë bien në dy të dhëna interesante, si p.sh, në Durrës me një kryebashkiak ortodoks ky komunitet zë vendin e tretë në përfaqësim, me vetëm 7%.
Lezha dhe Dibra kanë 100% deputetë të së njëjtit besim fetar, në Shkodër raportet e INSTAT janë të përmbysura, kurse në disa qarqe të tjera raportet janë të përafërta. Interesante janë edhe të dhënat e grupeve parlamentare dhe të partive politike fituese. PS ka më shumë deputetë myslimanë e ortodoks sesa mesatarja kombëtare, madje ka përqindje më të lartë të ortodoksëve sesa PD.
PD (duke llogaritur brenda saj edhe Ndoka i PDK, Dule i PBDNJ, Mediu i PR dhe Shehi i LZHK) ka deficit në përfaqësimin e ortodoksëve dhe ka përqindjen më të lartë të përfaqësimit të katolikëve, kryesisht falë votave që merr në Shkodër e Lezhë. Partia e tretë politike, LSI, ka përfaqësim të balancuar edhe bazuar në faktin se në llogari janë vetëm 19 deputetët e saj, nga të cilët 12-5-2 i korrespondojnë secilit besim fetar. Në PDIU me tre deputetë nuk ka lajm, – vetëm një komunitet fetar është i përfaqësuar.