Loading...

Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Spiropali: Garanci për jetën e qytetarëve, në dy javët e ardhshme lehtësim i masave

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit dhe Zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, tha se shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore ishte e rëndësishme për garantimin e jetës së qytetarëve, aq sa është e rëndësishme marrja e masave lehtësuese për të patur një dëm sa më të vogël në ekonomi.

Në një komunikim në TV, Spiropali tha se “pikërisht për të ruajtur jetën e qytetarëve dhe për të garantuar që ekonomia të vazhdojë punë të ndizet e funksionojë normalisht, për të patur një dëm ekonomik sa më të vogël, ne duhet patjetër ta votonim shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe duhet patjetër të respektojmë ligjet sipas Kodit të ri Penal”.

“Shqipëria do jetë në gjendje të fatkeqësisë natyrore, që do të thotë se do të funksionojë me një set rregullash, masash, ligjesh që janë të posaçme për gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më tani. Pra qeveria mund të kufizojë daljen e qytetarëve me fasho siç është bërë më tani, mund të mbyllë biznese të caktuara nëse kanë rrezikshmëri. Pra gjendja që kemi qenë deri më tani, ama nuk do jemi siç kemi qenë në mbyllje totale dhe karantinim, sepse ne kemi një plan të hapjes së mëtejshme me radhë me përshkallëzim të bizneseve të vogla që ndihmojnë ekonominë familjare, të rritjes së fashës së lëvizjes me dy orë e gjysmë e në vazhdim, pra dy javët e ardhshme do jetë një hapje e ngadalësuar e masave dhe lirimit të tyre”, u shpreh Spiropali.

Në lidhje me qëndrimet kundër shtyrjes sot në Kuvend të gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga opozita e re, dhe deklarimet e deputetit Murrizi, Spiropali tha se “opozita e re foli shumë për dashurinë mes liderëve, Presidentit dhe Kryeministrit, por harroi se ne nuk jemi në kohë dashurie, por ne jemi në kohë kolere, në kohë flame dhe nuk e kemi mendjen për të tilla histori”.

“Ajo që ata kritikojnë është në fakt një vendim krejt normal i Presidentit të Republikës për të bashkëpunuar për ndryshimet në Kodin e ri Penal, një domosdoshmëri e plotësimit të së drejtës tonë penale që kishte mangësi të theksuara për sa i përket gjendjes së epidemisë apo gjendjes të fatkeqësisë natyrore. Do kemi kohë për t’u kthyer nga lufta te dashuria e te paqja. Kjo nuk është koha. Presidenti ka bërë një akt normal të kreut të shtetit, pra ka dekretuar një ndryshim në Kod Penal që është i domosdoshëm në një kohë të tillë”, tha Spiropali.

Në lidhje me riatdhesimin e shqiptarëve, Spiropali tha se “të gjithë japin mend se si duhet trajtuar virusi. Ca flasin për teste, ca flasin të mbyllen nëpër shtëpi dhe ne nuk kemi ndërmend të dëgjojmë njerëz që nuk marrin vesh për ketë punë sepse ne këshillat i marrim me Komitetin Teknik të Ekspertëve dhe nuk kemi ndërmend të dëgjojmë amatorë, kur kemi shkencëtarë dhe doktorët që marrin këto vendime”.

“Virusi ka një fazë inkubacioni, nuk është e lehtë të përcaktohet, duhet të rrinë 14 ditë të mbyllur. Ne nuk mund të shkojmë shtëpi në shtëpi për të ruajtur qytetarët sepse janë me mijëra që po riatdhesohen, kjo është gjetja më e mirë, por dhe një praktikë që po e bëjnë edhe vendet e tjera”, tha ajo.

Po ashtu, Spiropali tha se “ne i mirëpresim shqiptarët, kushtet janë të mira, hotelet janë negociouar nga qeveria dhe ministri i Turizmit. Duhet të rrinë aty 14 ditë dhe më pas mund të dalin për të takuar familjarët e tyre”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com