Gjatë 24 orëve të fundit, 29 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve nga COVID-19, duke e çuar numrin e personave që kanë fituar betejën me këtë sëmundje në 385.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se deri tani rezulton që Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë të shëruar.
Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.
“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 26 të shtruar nga të cilët 4 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar, ndërsa 4 pacientë janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 34 pacientë’, -bën të ditur ministria e Shëndetësisë./atsh