Në këto ditë izolimi për shkak të masave që janë marrë për frenimin e pandemisë së koronavirusit, njerëzit flasin më shumë me njëri-tjetrin.
Një mjet komunikimi është “WhatsApp”, i cili për t’iu ardhur më shumë në ndihmë përdoruesve të tij, ka vendosur që të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.
Aplikacioni “WhatsApp” ka bërë të ditur se shumë shpejt do të keni mundësi që të bëni një telefonatë në një grup me 8 pjesëmarrës.
Programi ka rritur kufirin e numrit të pjesëmarrësve në një thirrje në grup – qoftë kjo me video ose audio.
Kjo veçori nuk është ende e aksesueshme, por pas testimit, kompania do ta vendosë në funksion të iOS dhe Android.
Për të filluar një telefonatë në grup me më shumë se 4 pjesëmarrës (që ishte kufiri i mëparshëm), thjesht shkon në një bisedë në grup dhe shtyp lehtë butonin e thirrjes në të djathtë lart.
Ju mund të shtoni deri në 7 pjesëmarrës, që bëhen gjithsej 8 kur llogaritni veten.
Me shtimin e më shumë pjesëmarrësve, “WhatsApp” po kërkon të konkurrojë aplikacione të tjera si Zoom dhe Google Meet.
Një nga kushtet e vetme që duhet të plotësoni është që të gjithë pjesëmarrësit duhet të kenë versionin e fundit të “WhatsApp”.