“Një tjetër shenjë të solidaritetit të Bashkimit Europian”, e ka cilësuar sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndihmën prej 180 milionë euro të Komisionit Europian përmes mekanizmit të asistencës makrofinanciare.
Balla ka theksuar se Komisioni Europian ka propozuar përdorimin e ndihmës makrofinanciare (MPJ) për të mbështetur Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe partnerë të tjerë fqinj në kontekstin e krizës COVID-19.
Balla shprehet se ndihma do të merret në formën e kredive afatmesme.
“Një tjetër shenjë e solidaritetit të BE, Komisioni Europian sapo ka propozuar përdorimin e ndihmës makrofinanciare (MPJ) për të mbështetur Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe partnerë të tjerë fqinj në kontekstin e krizës COVID-19. Ndihma do të merret në formën e kredive afatmesme”, është shprehur Balla.
Komisioni Europian propozoi sot 3 miliardë euro pako ndihmë makrofinanciare për të mbështetur dhjetë vendet fqinje, prej të cilave Shqipëria përfiton 180 milionë euro ndihmë./atsh