Loading...

Strategji për hapjen e sezonit turistik/ Klosi: Distancim social në zonat e plazhit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik në vendin tonë.

Gjatë një interviste në një nga studiot televizive, Klosi u shpreh se për afatin se kur do të mund të hapen plazhet shqiptare do të vendosin mjekët, ndërsa ne, shtoi ai, po punojmë për të përcaktuar sesi do të funksionojë sezoni, në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi edhe duke bërë pushime brenda kufijve”, u shpreh ministri Klosi, duke nënvizuar se prioritet është jeta e njerëzve.

Sipas Klosit, po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë mbi parimet e Organizatës Botërore të Turizmit si dhe me një dakordësim me partnerët e rajonit.

“Po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019, do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se falë mënyrës së si u menaxhua në Shqipëri, situata e infeksionit nga COVID-19, ne sot do të kemi mundësinë të dalim shumë më shpejt në treg, sesa vendet e tjera, përreth si Italia, Greqia, Mali i Zi apo edhe Turqia, të cilat janë shumë të dëmtuara prej COVID-19, si dhe kanë struktura hoteliere shumë të mëdha, që ja u vështirësojnë vënien në kohë të shpejtë në punë.

Ndërsa strukturat tona hoteliere, bëri të ditur Klosi, janë të vogla, disa edhe familjare dhe janë lehtësisht të menaxhueshme për tu vënë në punë, brenda një periudhe kohore të shkurtër edhe për rreth 3 ditë.

“Këto dy faktorë do na japin shumë dorë që në të vazhdojmë të kërkojmë një treg të vendeve të pa prekura nga COVID-19, siç janë vendet Balltike, Ukraina, Bjellorusia, vendet e zonave Skandinave, Çekia, Polonia me të cilat ne po komunikojmë çdo ditë për të ndihmuar hotelierët shqiptarë, duke përpjekur të bëjmë, si të thuash edhe negociata shtetërore, në mënyrë që, nëse ne do të kemi hapje të tregut të kemi të siguruar edhe turistët”, deklaroi Klosi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com