Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi sot marrëveshjen e huasë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim prej 50 milionë dollarësh për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero tha se nëpërmjet huasë nga BERZH-i, sigurohet shuma prej 50 milionë dollarë, e nevojshmë për të financuar 3 segmente rrugore.
“Konkretisht financohet rehabilitimi i rrugës ekzistuese Orikum-Ujë i Ftohtë, ndërtimi i rrugës Shëngjin-Velipojë dhe sistemimi i rrugës Zgosht-Ura e Çereniçit”, tha Vjero.
Komisioni miratoi edhe marrëveshjen e huasë që sigurohet nga qeveria e Kuvajtit për një financim prej 6.8 milionë denarësh kuvajtianë të projektit të rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës. /atsh