Bashkia e Vlorës vijon të shpërndajë ndihma për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në kuadër të aksionit të gjerë humanitar.
Punonjës të administratës nga të gjitha hallkat dhe të tjerë të përfshirë në këtë proces si vullnetarë, janë bërë pjesë e këtij aksioni që po vazhdon me intensitet gjatë gjithë orëve të ditës.
Bashkia e Vlorës, bën të ditur sot për ATSH-në se “deri tani janë shpërndarë më shumë se 2000 pako, 1340 nga bashkia Vlorë dhe rreth 660 nga donatorë të ndryshëm”.
Sipas bashkisë, janë shpërndare pako për komunitetin rom dhe egjiptian si në Vlorë dhe në njësitë e tjera administrative.
“Jane kontaktuar rreth 3500 pensionistë, të cilët jetojnë vetëm, ndërkohë që mbahet kontakt i përhershëm me ata të cilët kanë kërkuar ndihmë në blerjen e ushqimeve”, – tha bashkia.
Përveç të moshuarve, pensionistë të vetmuar, të sëmurë, familjeve në asistencë, janë përfshirë në targetin e familjeve në nevojë edhe të tjera me probleme që nuk arrijnë të sigurojnë nevojat ushqimore.
Bashkia e Vlorës ishte ndër të parat në shkallë vendi që filloi shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë dhe pensionistët. /atsh