Loading...

Lufta ndaj COVID-19/Më shumë se gjysmë miliardë euro humbje për 4 muaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo shtëpi, ky shtet, kjo qeveri për pasojë, ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 milionë euro në muajin mars, 170 milionë euro pak a shumë në muajin prill dhe me gjasë do të humbasë po kaq, 170 milionë euro në muajin maj dhe pak a shumë 100 milionë euro në muajin qershor”.

Rama tha se në total janë më shumë se gjysmë miliardë euro.

“Nuk po ju qahem e as ankohem, as që do ju kthej kurrizin, por thjesht po ju sjell në vëmendje që si në shume shtëpi të zakonshme edhe në shtëpinë tonë të përbashkët të ardhurat janë goditur fort”, u shpreh Rama, duke shtuar se “kjo do të thotë vetëm kaq: Kur kërkoni nga unë në këto kushte të vështira për të gjithë, të mos e dyshoni që unë dua të merrni jo aq sa kërkoni, po edhe më shumë nga sa kërkoni, sepse besojeni ose jo sot më shumë së kurrë ju jeni të gjithë familja ime dhe çfarë është e shtetit, nuk është imja, është juaja. Por çfarë është e imja është përgjegjësi që kjo shtëpi të qëndrojë me dinjitet sot dhe të jetë dinjitoze edhe nesër. Prandaj ju lutem, mos i dëgjoni as kukuvajkat që predikojnë vdekjen për bukë, as bilbilat gjyzare që recitojnë recetat çudibërëse që detin e kthejnë në kos”.

Rama theksoi se “ne do ta fitojmë këtë luftë dhe lehtësimi do të vijë pas gjithë dhimbjes së saj, do të na bëjë të kuptojmë se sa e forte dhe se sa e mirë mund të jetë Shqipëria”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com