Loading...

“Më shumë të shëruar sesa të prekur”/ Manastirliu: Masat e marra po reflektohen në kurbën epidemike, javës tjetër nis testimi i ri serologjik

Puna në terren që po realizohet nga të gjitha strukturat është kapilare dhe praktikisht na ka dhënë të dhëna që mund të themi se kemi situatë nën kontroll sa i përket shpërndarjes së virusit në vend.
Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një interviste televizive, ku ndër të tjera theksoi se, “nuk mund të themi që shumë shpejt do të përfundojë kjo situatë”.
“Pas shifrave është një punë e madhe për të gjurmuar rastet në terren. Kemi një numër më të lartë të shëruarish sesa numra aktivë të të prekurve. Janë 12 pacientë në terapi intensive, 4 prej tyre në respiratorë. Kurba është e rrafshët dhe ia kemi dalë që me masat e qeverisë të kemi një reflektim edhe në kurbën epidemike. Situata është inkurajuese, kemi vetëm 14,5% të kapaciteteve tona spitalore që janë të zëna. Kemi arritur në një kurbë të qëndrueshme”, – tha ajo.
Sipas ministres, arsyeja pse është hapur fasha orare është racionalizimi i lëvizjes, jo për të relaksuar qytetarët se gjithçka mbaroi dhe mund të dalin, por për të shmangur grumbullimet që kemi ballafaquar javët e shkuara.
Ministrja tha se, masat janë kuptuar nga qytetarët të cilëve nuk u ka ndryshuar asgjë sa i përket masave që kemi marrë, përveç afatit më të gjatë.
“Situata në Shkodër për nga pikëpamja e hetimit, puna ka qenë persistente për të gjurmuar rastet. Rasti ishte atipik, ku pati problematika në zbatimin e masave të qeverisë me pjesëmarrje në funerale që u bënë vatra përhapjeje”, – shpjegoi Manastirliu.
Ministrja konfirmoi se, po vijojnë testimet për të kapur sa më shumë raste.
“Shumica e rasteve janë asimptomatike dhe hetimi po kap këta persona. Në Shkodër janë kryer 368 teste, por 60% e tyre janë asimptomatikë, që do të thotë se ne kemi shkuar deri te brezi i dytë dhe i tretë me hetimin. 76 persona janë raste të reja në qarkun e Shkodrës. Kryeministri po konsultohet me një sërë ekspertësh sa i takon relaksimit të masave sipas kritereve të forta shëndetësore”, – tha Manastirliu.
“Vetëm në 6 javë nëse krahasojmë dy javët e para me të dytat, ne kemi dyfishuar testimin. Nëse në dy javët e para kishim 779 testime, në dy javët e dyta kemi 1421 dhe në dy javët e treta 2300 testime. Ne kemi vijuar të shtojmë numrin e testeve”, – tha ajo.

Gjithashtu, ministrja Manastirliu tha se “jemi duke përgatitur një testim për antitrupat të fokusuar për mjekët, një testim serologjik”.
Ajo tha se ky testim do të fillojë javës tjetër dhe do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Ky testim do të shtrihet në grupet e riskuara që janë mjekët, që janë policët dhe personat që e kanë kaluar apo po e kalojnë këtë sëmundje. Është një test që do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Testet janë blerë, struktura është ngritur. Instituti i Shëndetit Publik dhe QSUT po punojnë për të elaboruar këtë testim. Çdo gjë është gati për të filluar javës tjetër” tha Manastirliu /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com