Loading...

Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.

“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.

Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.

Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.

I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.

“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.

Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.

“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com