Loading...

Gjendja civile funksionale vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve, nis dhe shpërndarja e pasaportave edhe ID

Shërbimi i gjendjes civile është funksionale vetëm për rastet e lindjeve apo të vdekjeve për të bërë çregjistrimin.

Drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, gjatë një interviste televizive theksoi se janë vetëm dy shërbime që ofrohen sot nga zyrat e gjendjes civile, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19

“Të vetmet shërbime që ofron shërbimi i gjendjes civile janë lindjet dhe vdekjet. Të gjitha shërbimet e tjera nuk ofrohen sot, për arsye të radhës në sportele dhe përcjelljes së infeksionit”,- tha Doracaj.

“Prej disa ditësh në të gjitha sportelet ofrohet shërbimi i lindjeve dhe vdekje. Isha sot personalisht tek materniteti “Koço Gliozheni” ku ndoqa nga afër procesin, i cili po ecën mirë në të gjithë vendin dhe para datës 7 prill e kishim të bllokuar për shkak të pandemisë, tashmë e ofrojnë, por nëpunësit janë me masa mbrojtëse”,- shtoi Doracaj.

“Ne ofrojmë shërbime në 4 maternitete, 2 shtetërore dhe 2 private, dhe në të gjitha maternitetet në vend, në maternitetet e mëdha kemi një punonjës përgjatë gjithë kohës atje, ku ka më pak nëpunësi funksionon sapo merret në telefon, dhe atje ka gjithë infrastrukturën teknike për ta kryer shërbimin në maternitet”,- tha Doracaj.

“Martesa është një kontratë ligjore, por dhe një traditë, sot kur tradita nuk mund të respektohet, edhe kjo pjesë ligjore, akti i martesës para nëpunësit të gjendjes civile, nuk mund të ofrohet. Nuk është kontrata para nëpunësit ajo që i bën dy njerëz të bashkëjetojnë apo të krijojnë familje”,- u shpreh Doracaj.

Prej ditës së shtunë ka filluar procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit dhe të pasaportës, biometrike, por dhe ky proces realizohet përmes masave të rrepta të sigurisë

“Sot është dita e dytë, po ecën normalisht mirë. Qytetarëve u kërkohet të ruajnë distancën fizike, si dhe të jenë të pajisur me maska dhe doreza. Pa këto masa mbrojtëse nëpunësit nuk do t’i ofrojnë shërbim. Mesazhi lajmëron qytetarin të paraqitet në orën e caktuar, 10-15 minuta distancë nga njëri-tjetri”,- tha Doracaj.

“I/E Nderuar! Në datë 11 Prill 2020 ora xx:yy, ju lutemi të tërhiqni Pasaportën Tuaj pranë sportelit Aleat. Respektoni orarin! (nëse paraqiteni me vonesë nuk mund të merrni shërbimin). Ruani distancën 2 metër nga qytetarët e tjerë, mbani maske dhe doreza, përndryshe nuk mund të procedojmë me procesin e shpërndarjes së Dokumentit. Tregojini këtë SMS punonjësve në hyrje të Rajonit të Policisë. Ju falënderojmë në emër të Ministrisë së Brendshme, ALEAT”, – është teksti i mesazhit që njofton qytetarët./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com