Loading...

Qeveria ‘HAP THESIN’ per rrugen Orikum-Dukat dhe ndërtimimin e Tunelit të Llogarasë. Miratohet buxheti.

Kuvendi ka miratuar ditën e sotme në parim me 73 vota projektbuxhetin për vitin 2024 që konsiderohet si projektbuxheti më i madh publik me 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara.

Sipas skenarit bazë për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.8% me një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti do të kthehet për diskutime nen për nen në komisionet parlamentare dhe më pas miratohet në seancë plenare.

Sipas prezantimit të bërë nga ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Meta, të ardhurat buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.

Kjo rritje, sipas Minstrisë së Financave dhe Ekonomisë, bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Gjithashtu kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje, duke zbuluar se nga rritja e pagave në sektorin publik do përfitojnë mbi 14 mijë infermierë dhe 30 mijë mësues.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2023. Shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2024 shkon për financimin e projekteve në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11 miliardë lekë, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 16.6 miliardë lekë. Gjithashtu, vijon financimi i rindërtimit me 7 miliardë lekë, duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë e rialokimeve me qëllim përshpejtimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin te mirëadministrimi.

B.V/Shqiptarja.com

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com