Duka-Shakohoxha, përballë njëri-tjetrit më 2 mars, në asamblenë zgjedhore të futbollit shqiptar. Cili ka shanse të fitojë? Mos vallë do të ketë edhe kandidaturë tjetër për kreun e FSHF-së në vazhdim? Janë pyetje që do të marrin përgjigje ditë pas dite tashmë, duke pasur edhe cakun zyrtar të “betejës finale”.
Ka qenë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, që në mbledhjen e sotme ka zyrtarizuar datën e zgjedhjeve të reja për futbollin shqiptar, 2 marsin. Gara ka nisur e ethshme që tani, me akuza të palëve për shfrytëzim të presidencës aktuale (Duka) dhe ndërhyrjes së politikës (Veliaj).
Dje u bë me dije se për presionet ndaj drejtuesve të shoqatave rajonale është njoftuar edhe FIFA, si “gardiane” e mbajtjes larg të politikës nga futbolli. Luftë e ashpër pritet edhe për Komitetin Ekzekutiv të ri.
Në të shkuarën, në të gjitha asambletë zgjedhore kanë triumfuar më së shumti të preferuarit e Dukës, i cili ka synuar ta ketë nën kontroll organin kolegjial ekzekutiv të futbollit shqiptar.