Taulant Xhaka i ka dhënë fund karrierës me Kombëtaren. Në një postim në rrjetin social ‘Instagram’ mefsushori ka falënderuar të gjithë tifozët për këtë eksperiencë.
Në postimin e tij, Xhaka thotë se ky ishte vendimi më i vështirë për të, por është koha që t’i japë mundësi brezit të ri.
Ai u shpreh shumë krenar që veshi fanellën kuqezi dhe se ishte një ëndërr e bërë realitet.
Xhaka falënderon të gjithë trajnerët me të cilët ka punuar, FSHF-në si dhe të gjithë dashamirësit e futbollit.
Mesfushori e konsideron si moment të paharrueshëm kualifikimin e Shqipërisë në Europian.
Letra e plotë e Taulant Xhakës
Të nderuar tifozë, futbollistë, dashamirës të futbollit, e nderuara Kombëtare shqiptare, krenari e gjakut tim. Dita që u vesha kuqezi ka qenë dhe mbetet dita dhe kujtimi im më i bukur i jetës time. Kam qenë dhe jam shumë krenar që u bë e mundur , që unë të vishesha kuqezi.
Ishte një ëndërr për të gjithë familien XHAKA e cila tashmë e bërë realitet. Do jemi gjithmonë krenar dhe Mirnjohës. Nuk përshkruhen dot me fjalë emocionet dhe çastet e bukura që kam kaluar në gjirin e kombëtares kuqezi.
Të paharrueshme do mbetet kualifikimi që arritëm sëbashku në europian, apo dhe ndeshja që kaluam në Serbi. Mbi të gjitha entuziazmi dhe krenaria e përfaqësimit të kombëtares kuqezi, është një luftë për të treguar dashurinë ndaj vendit tënd të origjinës. Si unë dhe vëllai im Graniti, jemi rritur me atdhedashuri për Shqipërinë dhe Kosovën.
E gjithë familja ime na ka rritur si mua, ashtu dhe Granitin me flamurin kuqezi në zemër, me një respekt dhe krenari të veçantë për vendin tonë. Gjithmonë fillimet janë të bukura dhe askush nuk e mendon se sa shpejt ikin vitet dhe stafeta duhet dorzuar brezit të ri.
Kohët e fundit kam munguar në kombëtaren kuqezi për shkak të lëndimeve të shumta, që akoma vazhdojnë të më ndjekin. Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera private, kam vendosur të jap lamtumirën nga Kombëtarja kuqezi si lojtar i saj, por me zemër do jem në çdo moment pranë jush deri në frymën e fundit. Do jem përjetë KUQEZI.
Më besoni, që ky vendim është ndër vendimet më të vështira dhe emocionuese të marra ndonjëherë në jetën time. Nuk e kam pas aspakt të lehtë ta marr një vendim të tillë, sepse pranë kombëtares jam ndjerë shumë shumë mirë dhe krenar. Jam mbështetur shumë nga stafi i FSHF-it, nga bashkë lojtarët e mi, si dhe nga tifozat e mrekullueshëm kuqezi.
Por, në kushtet dhe rrethanat që unë ndodhem, mendova që është më e mira t´i them në këtë moment lamutumirë kombëtares së futbollit, për t´i dhënë edhe brezit të ri mundësinë të afirmohen, që të jenë e ardhmja e kombëtares sonë të përbashket. Dua të falënderoj përzemërsisht trajnerët me të cilët kam punuar, lojtarët, presidenin e FSHF-it z. Armando Duka, si dhe gjithë dashamirët e futbollit, për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë gjatë angazhimit tim në gjirin kuqezi.
Një falenderim i veçantë dhe special shkon për tifozat kuqezi, ata jane lojtari i 12-të dhe na kanë mbështetur në çdo kohë dhe moment. Tifozat na kanë dhënë mbështetje edhe në ditët tona më të vështira. Ata kanë qenë frymëzim i madh për mua. Tifozat e kombëtares kuqezi janë më të mirët në botë. Tani edhe unë do jem një tifoz i flaktë i kombëtares kuqezi, pra një si JU . Krenari dhe respekt për tifozat.
Nder dhe krenari e madhe për gjithë familien XHAKA, që unë isha për disa vite pjesë e kuqezinjve. Ishte një ënderr e shumë brezave që falë zotit tashmë e bërë realitet. Faleminderit për besimin dhe gjithçka që më dhatë! Për kombëtaren kam dhënë maximumin dhe jam shumë krenar që isha pjes e saj. Një falenderim edhe për familjen time që më ka mbështet në ç`do hap të karrierës time.