Glauk Olldashi, djali i ish-ministrit Sokol Olldashi, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së FRPD-së, ka folur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, të thirrur nga Sali Berisha në 11 dhjetor.
Ai u shpreh se ky Kuvend mund të mblidhet sa herë i do qejfi nëse ka firmat e nevojshme, kështu që nuk ka përse të shkohet në gjykatë.
“Fatmirësisht statuti ka parashikuar dhe situatat e jashtëzakonshme. Kuvendi mund të mblidhet sa herë i do qejfi nëse janë firmat. Kështu që nuk ka arsye përse të shkohet në gjykata”, tha Olldashi në Fax News.
Përsa i përket vendimit të Bashës për zgjedhje të reja në FRPD, ai tha se vendimet nuk merren me statuse në facebook, sepse ka statut.
“Forumi nuk ka marrë asnjë kosto. Kemi statut. Nëse vendimet do merreshin me statuse në Facebook, atëherë nuk do të ishim më parti por fondacion. Nuk besoj se arsyetimi për këtë vendim është i drejtë, sepse sidomos ne PD nuk mund të ndëshkojmë mendimin ndryshe në parti. Prandaj duhet të inkurajojmë mendimin ndryshe, sepse ajo na bën vërtetë demokratë”, u shpreh ai.