Loading...

Qitës nga Vlora kanë lidhje me e*kzekutimin e biznesmenit Backa në Fier

Një konflikt i nisur thuajse një vit e gjysmë më parë në ambientet e Bar-Kafe “Piazza” në Fier, dyshohet të jetë bërë shkak për ekzekutimin e biznesmenit të njohur në Fier, Demir Backa. Bëhet me dije se biznesmeni u konfliktua me një nga njerëzit e njohur të botës së krimit në Fier, me iniciale A.I, ku Backa e ka qëlluar me pëllëmbë dhe grushta.

Ky dyshohet të ketë qenë edhe momenti që ka çuar në nxehjen e gjakrave mes palëve, ndonëse ka patur tentativa për të shuar vijushmërinë e konfliktit, por A.I, nuk ia ka falur, raporton Ora News. Po ashtu policia e ka shtrirë hetimin edhe në lidhje me një skuadër nga Vlora, e mirorganizuar dhe me eksperiencë në vrasjet me pagesë.

Megjithatë, nga informacionet e deritanishme, konflikti në fjalë mes biznesmenit Backa dhe shtetasit A.I dyshohet të jetë një nga pistat kryesore për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky konflikt njihej nga policia e qytetit dhe banorët e Fierit, por çuditërisht asnjëra nga palët nuk kishte pranuar të bënte denoncim në polici dhe prokurori.

Situata është lënë në heshtje me shpresën se palët do mbyllin vetë gjithçka, por në fakt ka ndodhur krejt e kundërta. Sherri ka ndodhur në një nga ambjentet e kafe “Piazza” në Fier, ku Demir Backa dhe A.I së bashku me djalin e tij, kishin shkuar për tu sqaruar lidhur me një konflikt të lindur mes djalit të A.I dhe mbesës së Demir Backës./joq