Edvin Kulluri ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike.
Deri më tani kandidaturën për kryetar e ka shpallur edhe Sali Berisha në një prej foltoreve të tij me demokratët. Po ashtu ai ka paralajmëruar që shumë shpejt do të mbahet Kuvendi Kombëtar.
Nga ana tjetër, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk do të lejojë mbledhjen e asnjë forumi që bie ndesh me vendimet e qeverisë dhe institucioneve amerikane.
Postimi i plotë:
Të dashur miq dhe veçanërisht anëtarë të Partisë Demokratike dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar!
Pas shumë vitesh aktivitet politik dhe qëndrimesh që kam mbajtur sidomos gjatë kësaj krize të rëndë 4 vjeçare, vendosa që të kandidoj për kryetar i PDSH në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen!
I bindur se kam patur të drejtë për situatën e krijuar pas humbjeve dhe dështimeve të njëpasnjëshme, dhe po ashtu me besimin se Kuvendi Kombëtar do ta fusë PD në rrugën e rimëkëmbjes si alternativa më e mirë politike, mora këtë vendim të rëndësishëm!
Me mijëra demokratë kërkojnë reformimin e PD, bashkimin e saj dhe mbi të gjitha ringritjen e saj si një parti e djathtë qartësisht e ndryshme nga ajo e viteve të fundit!
Qëndrimet e palëkundura që kam mbajtur mbështetur në këto parime, më bëjnë të besoj se janë të shumtë demokratët dhe qytetarët që kërkojnë përfaqësim të mëtejshëm në garën për kreun e PD! Politika është “lufte” dhe jo “një betejë”, ndaj vendimi i shumicës seë delegatëve të PD për të mbledhur Kuvendin meriton jo vetëm respektin e çdo anëtari, por edhe kontribut të kujtdo për të qenë pjese aktive e vendimmarrjes dhe garave që do të prodhojë ky eveniment madhor!
Ide dhe vlera pa përfaqësim nuk ka dhe nuk mund të ketë! Ndaj e kam mbështetur thirrjen e organit më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike dhe besoj thellësisht se me kandidimin tim i shtoj përfaqësim shumë delegatëve dhe anëtarëve të PD që kanë patur të njëjtat qëndrime me të miat dhe kolegëve të tjerë gjatë 4 viteve të fundit!
Ashtu siç ky akt është rrjedhoje e të paktën 18 viteve të fundit aktivitet timin politik në PD!
Duke ju falenderuar për mbështetjen që kam patur në vite nga shumë prej jush, ju ftoj të ndiqni këtë sfidë për të cilën jam menduar gjatë me besimin se kam marrë një vendim të drejtë dhe të duhur!
Një PD që lufton për të drejtat themelore politike dhe ekonomike të individit, autonominë lokale si vlerë e patjetërsueshme e komuniteteve, familjen natyrore dhe vendos Shqipërinë mbi interesa të tjera është e vetmja PD për të cilën ja vlen të luftoj dhe përpiqem!
Për një PD të vërtetë dhe fituese përballë kundërshtarëve tanë, por mbi të gjitha si alternativa më e mirë qeverisëse për shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë!