Sot Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të takohet me homologun e tij Albin Kurti.
Ky takim vjen fill pas kthimit të kryeministrit Rama nga SHBA. Mediat kosovare shkruajnë, se pritja e kreut të qeverisë shqiptare do të bëhet me anë të një ceremonie shtetërore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Mësohet ndër të tjera se lajmi është bërë i ditur nga vetë zyra e kryeministrit Albin Kurti, ku ndër të tjera tregohet dhe agjenda e takimit mes dy krerëve të qeverisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nesër, më 27 shtator 2021, duke filluar nga ora 08:50, pret me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu”, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë. Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20”- thuhet në njoftim.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Ramës në Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Në mes dy kryeministrave ka pasur përplasje e kjo për shkak të nismës së ndërmarrë Open Balkan, e cila është refuzuar nga Prishtina zyrtare. Takimi i sotëm vjen në një moment kur mes Kosovës dhe Beogradit ka përplasje dhe tensione të forta sa i përket ccështjes së reciprocitetit të vendosjes së targave.
/NOA