Sali Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë. Ky ishte vendimi që njoftoi mbrëmjen e djeshme kryedemokrati Lulzim Basha, i cili shtoi se ky vendim do të jetë deri në zbardhjen e plotë të çështjes së Berishës me Departamentin Amerikan të Shtetit.
Në seanncën e parë plenare që do të zhvillohet ditën e sotme Sali Berisha do t’i bashkohet Monika Kryemadhit dhe Petrit Vasilit, si deputetë që nuk do të jenë pjesë e ndonjë grupi parlamentar. Në këtë listë bëjnë pjesë edhe Agron Çela (LSI), Erisa Xhixho (LSI), Gertjan Deda (PSD), Gledis Çeliku (PSD) dhe Meri Markiçi (PSD).
Ndërkohë nuk dihet nëse aleatët e PD-së që u zgjodhën deputetë nga lista e koalicionit PD-AN do të qëndrojnë në të njëjtin grup parlamentar me PD apo do të krijojnë një grup të ri parlamentar, pasi kushtet i plotësojnë.
Këta janë deputetët opozitarë që mund të krijojnë një grup të ri parlamentar:
Agron Duka (PAA)
Andia Ulliri (PLL)
Dashamir Shehi (LZHK)
Eralda Bano (PR)
Fatmir Mediu (PR)
Lindita Metaliaj (PR)
Nustret Avdulla (PDIU)
Shpëtim Idrizi (PDIU)
Vangjel Dule (PBDNJ)