Qeveria e Kosovës ka ref uzuar projektin amerikan për gazin natyror. Gazeta Express ka mësuar që Albin Kurti ka vënë kushte që nuk kanë mundur të realizohen.
Projekti për ndërtimin e infrastrukturës për sjelljen e gazit amerikan është diskutuar mes qeverisë së Kosovës dhe agjencisë amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit(MCC), për të cilin projekt MCC-ja ka siguruar rreth 200 milionë dollarë.
Siç mëson Gazeta, kryeministri Albin Kurti ka vënë kushte për këtë projekt që nuk kanë mundur të realizohen.
Ndërkaq, sot ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në një konferencë për media tha se si qeveri u duhet kohë që të vendosin lidhur me projektin amerikan të gazit pasi nuk dihet kosto totale financiare.
“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Poashtu do të duhej të merrnim kredi në shumë të mëdha për përfundimin e projektit, të cilat do t’i paguanin konsumatorët. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”, tha Ministrja Rizvanolli.
Administrata e Presidentit Biden më 2021 kishte futur edhe Kosovën në buxhetin e agjensionit federal MCC, ku ishte paraparë që Kosova të përfiton 200 milionë dollarë të pakthyeshme për të ndërtuar gaz-përquesin në drejtim të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, ku pastaj do të lidhej më rrjetin TAP (Trans-Adriatic Pipeline) apo me burime tjera.