Ikona e kinemasë, 50 vite aktrim, më shumë se 80 filma. Por edhe një pasion i madh për sportin dhe futbollin. PSG, si shumë klube të tjera franceze, i kushtoi një mesazh lam tumire të gjatë Jean-Paul Belmondo, i cili vd iq në moshën 88-vjeçare.
Lidhja e tij me ekipin aktual të Messi, Neymar dhe Mbappe është historike, sepse vetë Belmondo ishte në qendër të projektit të (ri)themelimit të klubit në pranverën e vitit 1973. Pas bashkimeve dhe ndarjeve mes klubeve të ndryshme, lindi (edhe falë tij) PSG që njohim dhe kemi sot.
“I lindur më 1933 në Neuilly-sur-Seine, – shkruan PSG në mesazhin e lamt umirës për aktorin, – Belmondo ishte rritur me Racing Club de Paris, si ekipin e tij të preferuar, një ekip sot në mesin e amatorëve të serisë së pestë franceze”.
“Si i ri luajti në rolin e portierit, ishte kapiten i Polymusclés, – kujton “L’Équipe” në faqet e saj. – Por ai ishte mbi të gjitha i afërt me Daniel Hechter, një sipërmarrës i ri në fushën e modës dhe dashamirës i futbollit, iniciator i projektit për të rivitalizuar PSG më 1973”.
Që atje, shumë miqësi në botën e futbollit, përfshirë Just Fontaine, mbajtës i rekordit të më shumë golave në një edicion të vetëm të Kupës së Botës (13 gola më 1958). Me rastin e botimit të revistës zyrtare të PSG, kushtuar 50-vjetorit të klubit, Belmondo shkroi:
“Ndonjëherë është thënë se PSG ka lindur nga frymëzimi i skenaristëve, por asnjëri prej tyre nuk do ta kishte imagjinuar një fat kaq të pabesueshëm për një ekip futbolli. Në disa mënyra, po, futbolli dhe kinemaja janë të njëjta. Por forca e PSG do të jetë gjithmonë shfaqja e një filmi që është magjepsës, por nuk përfundon kurrë”.
Ai ishte gjithashtu dashamirës i madh i regbisë dhe tenisit, me disa paraqitje si spektator në “Roland Garros”.