Pas publikimit të listës së emrave që do të përbëjnë ekipin e Lulzim Bashës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, duket se janë zgjuar pakënaqësi te disa prej demokratëve.
Burime nga PD bëjnë me dije se kreu i PD dega Durrës, Ferdinand Xhaferaj nuk ka pranuar të jetë kandidat për Kryesinë e Partisë Demokratike. Emri i tij ishte mes 45 demokratëve që do të kandidonin për kryesi, por sipas burimeve nga PD, Xhaferaj ka njoftuar mbrëmë partinë që emri i tij të hiqet nga ajo listë. Krahas tij, burime bëjnë me dije se mbrëmë dhe sot paradite në PD kanë ardhur edhe mesazhe nga zona të tjera për rrugëtimin problematik që sipas tyre po ndjek partia.
PD publikoi mbrëmë emrat e ekipit të Bashës, ku kreu i Grupit Parlamentar i është besuar Alfred Rushajt; komisioni i Sigurisë në Parlament, Flamur Nokajt; Komisioni i Ligjeve i është besuar Oerd Bylykbashit, kurse ai i Arsimit, Agron Gjekmarkaj.
Ndërkohë, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së do të jetë Edi Paloka, kurse Grida Duma dhe Jorida Tabaku, nënkryetare.