Të sapodiplomuarit në Shqipëri kanë më shumë mundësi se bashkëmoshatarët e tyre në vendet e rajonit që të gjejnë një vend pune brenda vitit të parë pas përfundimit të studimeve.
Megjithatë, Shqipëria renditet e dyta në rajon për numrin më të lartë të personave të diplomuar që janë ende në kërkim të një vendi pune, me 18 për qind të tyre, pas Malit të Zi që këtë shifër e ka 20 për qind.
Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal ka publikuar shifrat, sipas të cilave në Shqipëri 42 për qind e të rinjve që diplomohen në universitete gjejnë një vend pune brenda vitit të parë pas përfundimit të studimeve.
Vendi i dytë me shifra të larta të punësimit të të rinjve në të njëjtën periudhë është Kosova me 36 për qind, ndërsa në fund renditen Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina.
Në periudhën 1 deri në 2 vite pas marrjes së diplomës, të rinjtë në Kosovë kanë më shumë mundësi për t’u punësuar. 30 për qind e tyre gjejnë një vend pune brenda kësaj periudhe, ndërsa në Shqipëri 22 për qind e të rinjve punësohen në të njëjtin afat.
Numri i të rinjve që u duhen më shumë se dy vite pas marrjes së diplomës për t’u punësuar, ose që janë ende në kërkim të punës në Shqipëri është përkatësisht nga 19 për qind dhe në Kosovë 20 dhe 14 për qind.
Papunësinë më të ulët të të rinjve të arsimuar e ka Serbia me 11 për qind.