Skuadrat e kampionatit Euro 2020 do të përballen me gjoba nëse vijojnë te heqin pijet e sponsorve në konferencat e shtypit, siç kanë bërë ditët e fundit Cristiano Ronaldo me shishet e Coca-Cola, muslimani i devotshëm Paul Pogba me shishen e birrës, veprimi i të cilëve është mbështetur me sjellje të ngjashme nga të tjerë futbollistë gjatë konferencave.
Dje përfaqësuesi i kombëtares së Italisë në konferencë Manuel Locatelli, gjithashtu largoi shishet e Coca-Cola për t’i zëvendësuar me ujë.
Organizatorët thanë sot: “Uefa i kujton skuadrave pjesëmarrëse se partneritetet janë pjesë integrale e realizimit të turneut dhe sigurojnë zhvillimin e përhapjen e futbollit në të gjithë Evropën, duke përfshirë të rinjtë e gratë”.
Drejtori i Uefas për Euro 2020, Martin Kallen tha se lojtarët janë të lidhur me kontratë me anë të federatës së tyre, me kushtet dhe rregullat e turneut.
Por ai shtoi se i kuptonte veprimet e disa lojtarëve si për shembull Paul Pogba, që e bëri diçka të tillë për arsye fetare.
Uefa tha se nuk do të gjobiste drejtpërdrejt futbollistët pasi sanksionet kryen me anë të federatave kombëtare.