Loading...

Edi rama : ‘Ne kemi fituar një shumicë absolute, kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje’

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur aku zave të opozitës në lidhje me shitblerje të votave në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një intervistë për gazetën italiane ”La Repubblica”, kreu i qeverisë tha se këto janë zgjedhjet e pesta radhazi që opozita humb dhe duhet të reflektojë e jo të merret me akuza kundër PS.

”Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh. Dhe përsëri humbin. Sidoqoftë, këto zgjedhje japin një mesazh: kur e majta moderne është e organizuar mirë, është po aq e pamposhtur sa Interi i Mourinhos”.

I pyetur nëse do të qeverisë me mbështetjen e socialdemokratëve të Tom Doshit, i regjistruar në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion, Rama pranon që kjo ishte fitorja më e vështirë, por shtoi se ka fituar shumicë absolute dhe nuk ka nevojë për mbështetje.

”Hera e tretë ishte më e vështira, por është edhe më e bukura. Ne kemi fituar një shumicë absolute, kështu që nuk kemi nevojë për mbështetje. Ndoshta mund të kishim një diferencë më të madhe, por këtë herë Shqipëria votoi me një sistem të ri zgjedhor, me lista dhe preferenca gjysmë të hapura dhe kishte shumë vota të pavlefshme. Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme”, thotë Rama.

Gjatë intervistës me gazetarin Paolo Brera për ”La Repubblica”, Rama foli edhe për prioritetet e mandatit të tretë, një ndër to edhe revolucioni digjital dhe mësimi i anglishtes që në klasë të parë.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com