Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e ka nisur mëngjesin e sotëm në një intervistë televizive ku ka folur për fushatën e vaksinimit si fillim.
“Ne do të vijojmë me vaksinimin e +60 dhe me vaksinimin e grupmoshave të rriskuara. Këto ditë përmbyllim vaksinimin e policëve. Gjithashtu mësuesit, që tashmë po finalizohen. Kemi përfunduar mjekët, infermierët e punonjësit e sistemit shëndetësor. Do të vijojmë vaksinimin e gazetarëve dhe operatorëve. Do të vijojmë, ndërkohë, brenda fundjavës, edhe me vaksinimin e të gjithë atyre që shërbejnë në hoteleri, pra operatorët turistikë”, tha Manastirliu, ndërsa theksoi se vaksinimi nuk po përdoret si strategji për zgjedhjet.
Gjatë fjalës së saj, ajo foli edhe për fushatën elektorale, ku bëri apel që të gjithë të votojnë për PS. Ajo tha se partia e saj ka respektuar masat e pandemisë, duke bërë fushatë në rregullat e caktuara. Ndërsa vijoi të flasë për arritjet që qeveria Rama ka bërë gjatë dy mandateve.
“Radhiten reforma të rëndësishme, duke nisur nga transformimi i sistemit shëndetësor, reforma në arsim, reforma në drejtësi, por edhe gjithë infrastruktura e përmirësuar. PS vjen me një program të qartë, me një agjendë të konsoliduar të Shqipërisë 2020-2030. Vjen me një plan të qartë, i cili konsolidon bazat për të gjitha reformat e nisura. Ne do të vijojmë me programin e vaksinimit masiv të popullatës. Do vijojmë të transformojmë sistemin shëndetësor, të finalizojmë programin e rindërtimit për të shëruar të gjitha plagët e tërmetit, të krijojmë më shumë mirëqenie për qytetarët”, tha ajo.
Ajo e mbyll intervistën e saj me një mesazh për popullin. “Dita 25 prill nuk është thjesht një ditë për të zgjedhur një qeveri, por është dita për t’i dhënë besimin një ekipi, që do të çojë përpara punët e Shqipërisë, projektet dhe reformat, dhe vetëm ekipi i PS, skuadra e saj, kryeministri Rama, mund të ndërtojë të ardhmen e fëmijëve tanë, mund të ndërtojë Shqipërinë që ne duam”, përfundoi ajo.