Lamtumirë Dukatasi i mirë dhe kushëri i tim eti, Hasan Halili!
“Jeta në një libër ” e zotit Hasan Halili
Nga Laureta Petoshati
Para pak vitesh u bë promovimi i librit “Jeta në një libër ” e intelektualit dukatas dhe Mjeshtrit të Madh të Punës, zotit Hasan Halili. Meqë libri fliste për gjithë rrjedhën e jetës së tij edhe në promovim merrnin pjesë njerëz, që e kanë shoqëruar atë në këtë bashkë-udhëtim jetësor, që nga shkolla shtatëvjeçare ne Dukat e në vijim në shkollën e mesme bujqësore në Golem te Kavajës, në Shkollën e Lartë Bujqësore Kamëz, në aktivitetin shumëvjeçar të punës së tij në shumë sektorë të ekonomisë bujqësore, atë politike e deri në daljen në pension. I gjithë ky libër, që në faqet e para të kujton shprehjen e historianit, politikanit dhe shkrimtarit anglez Lord Acton se ” Historia nuk është një aftësi bartëse në kujtesë, por një ndriçim i shpirtit “. E them këtë se kështu nis dhe ky libër me paraqitjen e jetës së dy njerëzve, babait dhe nënës së tij, që e nisën jetën atje në Dukëxham të Dukatit, më 1933, ashtu si lindja e diellit në mëngjes, që mezi duket si një pikë në horizont dhe pastaj shpërndan rrezet e tij në pafundësi. Tani nga ky diell i vogël janë plot 66 frymë që jetojnë dhe punojnë me dinjitet në Shqipëri dhe shumë vende të botës. Libri fillon me vendin e lindjes si vend i zanafillës, Dukatit, ku i bëhet një përmbledhje pozitës gjeografike, origjinës së emrit dhe të popullsisë së tij, besimeve fetare të tij, duke shfrytëzuar shkrime të mëparshme të historianëve të ndryshëm, por dhe burime arkivore. Më tej, ai shkruan për fiset që lidhen me paraardhësit dhe sot, për familjen, babanë, nënën, vëllezërit, nipërit, mbesat e duke ndaluar tek vetvetja. Të duket sikur ke përpara një roman jetësor, një letërsi memorialistike, ku çdo fjali është shkruar si ka ndodhur dhe si është përjetuar. Nuk ka zbukurime, por vërtetësi deri në dhimbje. Kemi një kujtesë mbi një fëmijë të vogël, i cili ka lindur në vitin më kyç, jo vetëm të historisë së Shqipërisë, por dhe atë botërore, pikërisht atëherë kur ndaheshin akset e Luftës së Dytë Botërore edhe në Shqipëri e pikërisht në fshatin e tij do të shkelnin aleatët. Një jetë e filluar në kohë të vështirë, në një shtëpi që digjet nga nazistët, të cilët i kishin vënë dhe ko buren në kokë qysh në djep. Është një rrugë jete tepër e vështirë, me shumë mundime, por dhe me shumë dëshira dhe shpresa. Gjejmë në faqet e këtij libri djalin e vogël, që zbret për herë të parë në qytet ku i bëjnë përshtypje dritat elektrike, pastaj që shkon rastësisht për shkak të një sëmundjeje në kryeqytet e më vonë shkon në shkollë të mesme dhe provon mishin e derrit. Është po ky djalë, Hasan Halili, që provon egërsinë e luftës së klasave, ku nëna ishte me triskë fronti, ndërsa babai jo, dhimbjen e humbjes së vëllait në një ditë të shenjtë, lotët, zhgënjimet, por asnjëherë shpresën. Përkushtimi në mësime e çon në Universitetin Bujqësor Kamëz, madje dhe atje në degën më të vështirë të tij, atë të ekonomisë për të ecur më tej me punën e papërtuar të agronomit dhe kryeagronomit, deri në shkrime e konferenca shkencore të nivelit botëror. Në këtë libër tregohet se si dikur ia vunë koburen te koka fëmijë nazistët, por dhe sesi e kërcënuan me jetë kur Shqipëria ishte në ditët e saj të lindjes së demokracisë. Është rruga e jetës së një njeriu, por dhe të një vendi që me anë të punës kërkon më të mirën për bijtë e tij dhe për brezat. Ka një pjesë në përshkrim ku autori Hasan Halili flet me nderim për punën dhe njerëzit e punës: “Kudo ku kam punuar kam qenë në një ambient shoqëror, që nuk e përbuznin punën e ndershme, por e mbivlerësonin atë. Këto cilësi unë i manifestova në atë kohë, si edhe pas vitit 1990, në çdo vend pune. Kjo më bënte që të më dhimbsej çdo gjë e bërë në atë periudhë me dijen dhe djersën e njerëzve të thjeshtë, kooperativistë apo punëtorë të NB-ve, të cilët jo pak kanë sakrifikuar për të shtuar pronën e përbashkët megjithëse nuk morën asnjëherë djersën që u takonte. “
Rruga e tij është rruga e një atdheu të tërë, që përpiqet për tu ngritur dhe për tu integruar me ballafaqimet evropiane. Nga deputet i PD në Ministër i Bujqësisë, pastaj prefekt i Qarkut Vlorë deri sa doli në pension. Ai tregon dhe rrugën e vështirë të ngritjes dhe ringritjes së PD, problemet e pronës, jep mendime se si mund të zgjidhet kjo plagë e shoqërisë shqiptare që është bërë nyja gordiane e zhvillimeve demokratike dhe përparimit të mëtejshëm dhe afatgjatë të vendit tonë. Duhet theksuar fakti, që ai është i pari ministër me origjinë nga Dukati në kohën e demokracisë, sepse në monizëm nuk bëhej fjalë për një post të tillë nga bijtë e këtij fshati. Një nga meritat e veçanta të këtij libri është se pothuajse çdo ngjarje e rëndësishme e jetës dhe e familjes së tij pasqyrohet nëpërmjet fotografive, te cilat flasin më shumë se autori. Është rast i rrallë që ai ka fotografi qysh foshnje, pasi në kohën dhe vendin që ka lindur autori këto mjete komunikuese e pasqyruese kane munguar pothuajse tërësisht. Me anët të fotografive të tij tregohet mënyra e jetesës, veshjes, kulturës dhe ngritjes kulturore në vite, qoftë si individ, qoftë dhe si komunitet. Kjo përvojë e ngjeshur e jetës së tij si njeri, si intelektual dhe si politikan, brenda një libri është e vlefshme për cilindo lexues, nuk ka rëndësi e njeh apo nuk e njeh zotin Hasan Halili. Aty ke se çfarë të mësosh dhe se çfarë e shtyn njeriun drejt të mirës, drejt atdheut, drejt dritësimit shpirtëror. Jo më kot në promovimin e këtij libri morën pjesë që nga redaktori, zoti Jani Gusho, agronom, shok që në shkollë të mesme e deri tani i zotit Hasan Halili, inxhinieri i Pyjeve-dukatasi Mustafa Dedenika, ish deputeti i PD Ing.Esat Hasani, ish Sekretari i Prefekturës së Qarkut Vlorë Fiqiri Aliaj, një nga bashkë-themeluesit e PD në zonën e Levan-Fierit Aleks Dulaj, Ing. Atdhe Deromemaj e shumë të tjerë sidomos bashkëfshatarë e familjarë të tij, të cilët folën dhe vlerësuan punën dhe kontributin e zotit Hasan Halili ndër vite.
Loading...